RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Irani përmes Katarit i ka “përcjellë” kushtet për rifillimin e diplomacisë me SHBA-në

irani-permes-katarit-i-ka-“percjelle”-kushtet-per-rifillimin-e-diplomacise-me-shba-ne

Irani ka pretenduar se i ka përcjellë kushtet e tij për rifillimin e diplomacisë me SHBA-në gjatë një shkëmbimi dyorësh mesazhesh dhe sqarimesh të ndërmjetësuar nga Katari, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, trasmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Esmaeil Baqaei, shkroi në rrjetin social amerikan X se shkëmbimi u zhvillua të martën “si vazhdim i diskutimeve” të ndërmjetësuara nga vende të ndryshme mes Teheranit dhe Washingtonit.

“Një tjetër raund shkëmbimi mesazhesh dhe sqarimesh u zhvillua përmes ndërmjetësimit të Katarit mes Iranit dhe Amerikës”, shtoi ai.

Ai tha se Irani e përdori këtë proces për të komunikuar qëndrimet dhe kushtet e tij për rifillimin e diplomacisë “në një mënyrë që nuk lë asnjë dyshim apo paqartësi dhe nuk ofron asnjë justifikim apo pretekst për asnjë palë”.

Baqaei tha se kushtet e Teheranit përfshijnë përfundimin e “veprimeve agresive” të SHBA-së, përfshirë bllokadën detare dhe “terrorizmin ekonomik”, si dhe përfundimin e luftës në të gjitha frontet dhe lirimin e aseteve iraniane që janë ngrirë ose të kufizuara.

Ai shtoi se Irani kërkon gjithashtu pranimin e një rruge të sigurt të transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit, bazuar në një marrëveshje të arritur mes dy shteteve bregdetare, Iranit dhe Omanit.

Deklaratat erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se zyrtarët amerikanë kishin zhvilluar bisedime në New York me përfaqësues të delegacionit iranian për rreth tre orë. Ai i përshkroi bisedimet si “shumë të mira”.

Televizioni shtetëror iranian gjithashtu raportoi se ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araghchi u takua me të dërguarit e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe se takimi u zhvillua “me kërkesë të përsëritur të zyrtarëve amerikanë”.

Pas arritjes së një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Pakistani në muajin prill, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit në muajin qershor, i cili u dha të dyja palëve 60 ditë për të diskutuar një marrëveshje afatgjatë.

Por të dyja palët shumë shpejt u përfshinë në sulme hakmarrëse dhe SHBA-ja rivendosi një bllokadë ushtarake ndaj porteve iraniane, ndërsa Teherani mbylli ngushticën e Hormuzit.

Related posts

Robotët kinezë në Ushtrinë e Serbisë

Irfan Jahiu

Izraeli i shet Greqisë raketa të telekomanduar anti-tank

admin

Dështon seanca në rastin Brezovica

Muhamet Ramadani