Rasti i Maricarmen Abascal, 87 vjeçe, e nxjerrë me forcë nga banesa ku kishte jetuar për më shumë se shtatë dekada, ka ndezur protesta masive në Spanjë
Në Spanjë, një grua 87-vjeçare është shndërruar në simbolin e një krize që prej kohësh nuk kufizohet më te çmimet e larta të apartamenteve.
Rasti i Maricarmen Abascal ka nxjerrë në rrugët e Madridit mijëra njerëz dhe ka detyruar qeverinë e kryeministrit socialist Pedro Sánchez të përshpejtojë miratimin e masave të reja për mbrojtjen e qiramarrësve.
Më 23 shtator, Abascal u nxor nga apartamenti ku kishte jetuar që prej vitit 1956, për më shumë se 70 vjet. Ajo ka një paaftësi të njohur prej 50 për qind dhe, pas dëbimit, u transportua në spital për shkak të gjendjes së rënduar nga ankthi dhe stresi.
Konflikti kishte nisur vite më parë. Sipas raportimeve në mediat spanjolle, pasi prona kaloi në pronësi të Urbagestión, qiraja e saj u rrit ndjeshëm, nga rreth 500 euro në muaj në një shumë që arrinte deri në 1.650 euro, shumë mbi të ardhurat e saj mujore.
Çështja përfundoi në gjykata dhe Gjykata Supreme spanjolle vendosi në mars kundër saj, duke i hapur rrugë dëbimit. Por ajo që nisi si një betejë individuale u kthye në protestë kombëtare.
Në Madrid, mijëra qytetarë marshuan në mbështetje të saj, ndërsa në Puerta del Sol u ngrit një kamp proteste që vazhdoi për disa net. Sindikata e Qiramarrësve kërkoi kontrata më të gjata, kufizim të rritjes së qirave dhe ndalimin e dëbimeve kur nuk ekziston një alternativë e përshtatshme për personat vulnerabël.
Presioni duket se prodhoi efekt. Qeveria Sánchez miratoi dy dekrete për krizën e strehimit, të cilat duhet të ratifikohen nga parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme të premten.
Njëra prej masave parashikon zgjatjen automatike me dy vjet të kontratave të qirasë që përfundojnë para fundit të vitit 2028. Gjithashtu, mbrojtja ndaj dëbimeve për personat më vulnerabël zgjatet deri në fund të vitit 2030.
Paketa përfshin edhe kufizime për qiratë afatshkurtra dhe një ndalim të përkohshëm të blerjes së banesave nga fondet e investimeve deri në fund të vitit 2028.
Dekreti i dytë parashikon një mekanizëm për rinovimin automatik të kontratave të qirasë, duke synuar që qiramarrësi të mos detyrohet të negociojë nga e para çdo herë që përfundon kontrata.
Rritjet e qirasë do të kufizohen nga ligji dhe jo vetëm nga marrëveshjet e reja mes pronarit dhe qiramarrësit. Por për këtë pjesë, mungojnë ende disa detaje dhe qeveria duhet të sigurojë votat e nevojshme në parlament.
Në të njëjtën kohë, historia e Maricarmen po merr një kthesë të papritur. Përfaqësuesit e saj dhe pronarët e apartamentit kanë arritur një marrëveshje paraprake, të ndërmjetësuar nga Bashkia e Madridit, që do t’i jepte mundësinë të rikthehej në shtëpinë ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës.
Kontrata do të zgjaste tetë vjet dhe qiraja nuk do të kalonte 30 për qind të të ardhurave të saj, rreth 500 euro në muaj duke përfshirë shpenzimet. Marrëveshja duhet të pranohet nga vetë Abascal. tesheshi

