RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

I mbijetoi dy injeksioneve fatale: ç’ndodh tani me të dënuarën në SHBA?

i-mbijetoi-dy-injeksioneve-fatale:-c’ndodh-tani-me-te-denuaren-ne-shba?

Ekzekutimi i Christa Gail Pike u pezullua pasi dy doza pentobarbitali nuk shkaktuan vdekjen e saj

Autoritetet e Tennessee-t nuk arritën të ekzekutonin Christa Gail Pike, 50 vjeçe, e dënuar me vdekje për një vrasje të kryer në vitin 1995. Gruaja mbijetoi pasi iu administruan dy doza të pentobarbitalit, ilaçi i përdorur për injeksionin vdekjeprurës.

Pas incidentit, guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, pezulloi ekzekutimin dhe urdhëroi një hetim të pavarur për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi.

Avokatët e Pike thanë se ajo ishte ende gjallë dhe gërhiste me zë pas administrimit të dy dozave. Më pas u dërgua në një strukturë mjekësore për trajtim.

Departamenti i Burgjeve i Tennessee-t deklaroi se kishte ndjekur të gjitha hapat e parashikuar në protokollin shtetëror.

Rasti është cilësuar nga Robin M. Maher, drejtoreshë ekzekutive e Death Penalty Information Center, si një ngjarje “unike dhe pa precedent”.

Sipas saj, shtatë persona të tjerë kanë pasur probleme mjekësore gjatë tentativave për ekzekutim me injeksion vdekjeprurës, por në ato raste nuk ishte arritur të gjendej një venë për administrimin e barnave.

Nuk kishte pasur më parë një rast ku një i dënuar të kishte mbijetuar pasi ilaçet e ekzekutimit ishin administruar. Pike duhej të ekzekutohej të mërkurën në burgun e sigurisë së lartë Riverbend, në Nashville.

Rreth një orë para orarit të parashikuar, një gjykatë federale apeli e kishte pezulluar ekzekutimin, duke kërkuar shqyrtim të mëtejshëm të pretendimeve se gjatë gjykimit nuk ishin marrë siç duhej në konsideratë abuzimet seksuale që Pike kishte përjetuar në fëmijëri.

Por prokurori i përgjithshëm i Tennessee-t apeloi në Gjykatën Supreme të SHBA-së dhe kjo e fundit lejoi vazhdimin e ekzekutimit.

Tre gjyqtarë liberalë kundërshtuan vendimin, duke argumentuar se çështjet e ngritura nga Pike meritonin një shqyrtim më të thelluar. Dëshmitarët e pranishëm në burg raportuan se pasi u hapën perdet e dhomës së ekzekutimit, Pike ishte e lidhur në barelë dhe deklaroi se do të largohej nga kjo botë “në dashuri”.

Por ajo mbeti e vetëdijshme. Në një moment ngriti kokën dhe pyeti punonjësit e burgut nëse ishte normale ndjesia që kishte në krah. Më vonë iu administrua doza e dytë e pentobarbitalit.

Pike vazhdoi të gërhiste deri në momentin kur mikrofoni u fik dhe dëshmitarëve iu kërkua të largoheshin. Tani mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me të. Protokolli i Tennessee-t parashikon një dozë të dytë nëse i dënuari nuk vdes pas së parës, por nuk përcakton procedurën në rast se personi mbetet gjallë edhe pas dozës së dytë.

Guvernatori Lee tha se ekzekutimi tjetër i planifikuar këtë vit nuk do të zhvillohet dhe se hetimi duhet të përcaktojë përgjegjësitë dhe shkaqet e dështimit.

Pike u dënua me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer, 19 vjeçe, në vitin 1995. Ajo ishte 18 vjeçe në kohën e krimit. Sipas prokurorisë, Pike e kishte joshur Slemmerin në një zonë të pyllëzuar, ku e kishte sulmuar me një thikë prerëse dhe më pas e kishte goditur me një copë të madhe asfalti.

I dashuri i saj, i cili ishte 17 vjeç në kohën e krimit, u dënua me burgim të përjetshëm. Rasti i Pike kishte rikthyer edhe debatin mbi dënimin me vdekje për persona që kryejnë krime në moshë shumë të re.

Mbrojtësit e saj kanë kërkuar që të merret parasysh mosha, problemet e shëndetit mendor dhe abuzimet e rënda që ajo kishte përjetuar gjatë fëmijërisë.

Pike nuk e ka mohuar përgjegjësinë për vrasjen, por ka thënë se në atë kohë ishte një 18-vjeçare me probleme serioze dhe se iu deshën vite për të kuptuar plotësisht rëndësinë e asaj që kishte bërë.

Ajo do të ishte gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se 200 vitesh. Tashmë, pas dështimit të pazakontë të procedurës, fati i saj juridik mbetet i lidhur me hetimin e shtetit dhe vendimet e ardhshme të gjykatave. tesheshi

Related posts

Konkluzionet e samitit BE-Ballkani Perëndimor: Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet përmes dialogut

admin

Ish deputetja e LVV-së, Shqipe Pantina aderon në LDK

admin

Zyrtarja e lartë amerikane paralajmëron se zia e urisë në Gaza ka filluar: Ndihmat e premtuara ende nuk kanë arritur

admin