Grupi jemenas Huthi tha të enjten se Arabia Saudite kreu sulme ajrore ndaj kryeqytetit Sana dhe provincave Saada, Taiz dhe Amran, transmeton Anadolu.
Agjencia e lajmeve SABA, e drejtuar nga Huthit, tha se avionë luftarakë që dyshohet se i përkisnin Arabisë Saudite shënjestruan kryeqytetin Sana dhe disa zona në të trija provincat. Raporti nuk dha detaje për objektivat e goditura, viktimat apo dëmet e shkaktuara.
Ndërkohë, ushtria e Jemenit tha se 27 sulme ajrore shënjestruan pozicionet dhe pikat e grumbullimit të Huthive në provincën jugperëndimore Taiz. Zëdhënësi ushtarak, kolonel Majid Abdullah al-Nuzaili tha se sulmet shënjestruan një depo raketash, qendra komanduese dhe kontrolli, objekte furnizimi dhe armatimi, përqendrime të luftëtarëve Huthi dhe automjete ushtarake.
Ai tha se sulmet shkatërruan dhjetëra automjete ushtarake dhe pajisje të tjera si dhe vranë ose plagosën një numër luftëtarësh të Huthive.
Gjeneral brigade Turki al-Maliki, zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, tha më herët në platformën amerikane të mediave sociale X se mbrojtja ajrore kishte kapur dhe shkatërruar dronë dhe raketa balistike të lëshuara drejt qyteteve saudite Khamis Mushait dhe Jazan.
Al-Maliki tha se Huthit kishin shënjestruar me një dron termocentralin “Taiba” në Medine të Arabisë Saudite dy ditë më parë. Jemeni është përfshirë në luftë civile që nga shtatori 2014, kur Huthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe disa provincave.
Koalicioni arab i udhëhequr nga Arabia Saudite ka mbështetur qeverinë e Jemenit të njohur ndërkombëtarisht që nga marsi i vitit 2015.

