RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë akuza për sulmet ajrore gjatë natës, të paktën 9 të vrarë

rusia-dhe-ukraina-shkembejne-akuza-per-sulmet-ajrore-gjate-nates,-te-pakten-9-te-vrare

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer akuza lidhur me sulmet ajrore gjatë natës, të cilat kanë shkaktuar të paktën nëntë viktima, transmeton Anadolu.

Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit njoftoi në Telegram se kryeqyteti ukrainas u sulmua nga Rusia me raketa balistike gjatë natës ndërsa dëme nga sulmet u regjistruan në dy zona të qytetit. “Fatkeqësisht, dy persona u vranë nga bombardimet e armikut. Në rrethin Podilskyi, një raketë goditi një ndërtesë jorezidenciale, duke shkaktuar zjarr”, tha administrata ukrainase.

Më tej u bë e ditur se një sulm me raketë shkaktoi zjarr në një kooperativë garazhesh në rrethin Darnytskyi të Kievit. Zjarri u shua, por pati dëme materiale. “Fragmente gjithashtu ranë në një zonë të hapur në një vend tjetër”, thuhej më tej.

Në rajonin e Dnipropetrovskut, guvernatori Oleksandr Hanzha tha se dy persona u plagosën në sulmet që dëmtuan një ndërmarrje industriale, ndërtesa banimi dhe një klub sportiv në kryeqendrën e rajonit.

Guvernatori i Chernihivit, Vyacheslav Chaus tha se të paktën pesë persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën pas një sulmi me raketë ndaj një ndërtese banimi në qytetin Pryluky ndërsa guvernatori i Poltavës, Vitaliy Dyakivnych, tha se dy persona u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën në rajonin e tij.

Guvernatori i Zaporizhzhias, Mykhailo Semikin tha se një objekt i infrastrukturës së transportit në kryeqendrën e rajonit u godit gjatë natës, duke theksuar se për shkak të sulmit mund të vendosen përkohësisht kufizime të qarkullimit në disa segmente rrugore.

“Një nga objektivat kryesor ishte infrastruktura jonë energjetike. Rusët donin të godisnin në mënyrë të dhimbshme dhe demonstrative. Ky ishte një nga sulmet më të poshtra, gjithsej 70 raketa, shumë prej tyre balistike, si dhe ‘Shahed’. Fatkeqësisht, vetëm disa prej tyre u rrëzuan”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në rrjetin social amerikan X.

Duke i cilësuar sulmet e natës si një “dhuratë ditëlindjeje” për presidentin rus Vladimir Putin, Zelenskyy tha se raketat balistike mbeten sfida më e madhe për Ukrainën dhe se paketat e mbrojtjes ajrore për Kievin janë një “domosdoshmëri jetike”.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka kryer “sulm masiv” ndaj objekteve të kompleksit ushtarako-industrial ukrainas në Kiev dhe në rajonin e Kievit si dhe në rajonet Chernihiv, Kirovohrad, Dnipropetrovsk, Poltava, Kharkiv dhe Odesa.

Ministria tha se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar 311 dronë ukrainas mbi 16 rajone si dhe mbi Detin e Zi, Detin Azov dhe Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014. Në rajonin kufitar rus të Belgorodit, guvernatori Alexander Shuvaev tha se shtatë persona u plagosën gjatë 24 orëve të fundit në tre rrethe si pasojë e sulmeve ukrainase.

Në pjesën e rajonit lindor ukrainas të Donetskut, e kontrolluar nga Rusia, kryetari i emëruar nga Rusia i qytetit Horlivka, Ivan Prikhodko tha se tre persona u plagosën në një sulm ukrainas me dron.

Guvernatori i Voronezhit, Aleksandr Gusev tha se një linjë elektrike u dëmtua në pjesën jugore të rajonit të tij për shkak të rënies së mbetjeve, duke shtuar se disa fshatra mbetën përkohësisht pa energji elektrike dhe se shërbimet e emergjencës po punonin në vendngjarje.

Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar 117 nga 130 dronë sulmues, si dhe 44 raketa balistike dhe të lundrimit nga një numër i paspecifikuar raketash të lëshuara nga Rusia gjatë natës.

Verifikimi i pavarur i këtyre pretendimeve është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim. Moska dhe Kievi kanë intensifikuar sulmet gjatë muajve të fundit, duke shënjestruar qendrat logjistike, portet dhe infrastrukturën energjetike të njëri-tjetrit.

Të dyja palët mohojnë se kanë shënjestruar qëllimisht infrastrukturën civile, duke deklaruar se sulmet janë drejtuar ndaj objektivave ushtarake ose objekteve të lidhura me aktivitetet ushtarake.

Related posts

Krye-avokatja e IDF-së: Sjellja e ushtarëve izraelitë në Gaza ka kaluar “pragun kriminal”

admin

Publikohet çmimi tavan: Shtrenjtohet benzina, lirohet nafta

admin

Ushtria izraelite evakuon me forcën e armës palestinezët e strehuar në spitalin “Nasser”

Muhamet Ramadani