RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Truss deklarohet kundër dërgimit të trupave britanike në Ukrainë

truss-deklarohet-kunder-dergimit-te-trupave-britanike-ne-ukraine

Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss, njëra prej dy kandidatëve për të marrë pozitën e kryeministrit, pas dorëheqjes së Boris Johnsonit, ka thënë se nuk mbështet dërgimin e ushtarëve britanikë në Ukrainë, për të ndihmuar në luftën kundër Rusisë.

Duke folur në një intervistë për transmetuesin britanik BBC, më 21 korrik, Truss ka hedhur poshtë “përfshirjen e drejtpërdrejtë” të trupave të shtetit të saj, në rast se bëhet kryeministre.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur Ukrainën. Ne kemi qenë në krye të koalicionit ndërkombëtar për dërgim të armëve, jemi duke zbatuar sanksionet, mirëpo nuk e mbështes përfshirjen e drejtpërdrejtë të trupave britanike”, ka thënë ajo.

Komentet e saj janë në linjë me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe shumicës së shteteve tjera perëndimore, të cilat e kanë mbështetur Kievin në luftë përmes dërgimit të armëve dhe ndihmës tjetër, por që kanë hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të ushtarëve në tokën ukrainase.

Moska ka thënë se çfarëdo përfshirjeje e forcave perëndimore në Ukrainë, do të konsiderohet shpallje e luftës kundër Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. /rel

Related posts

ATK-ja mbledh afro 50 milionë euro më shumë se në 4-mujorin e vitit paraprak

rezart morina

Ministria e Shëndetësisë në Gaza: 29 palestinezë të vrarë që nga e marta

admin

Analiza e VOA: Zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe përpjekjet e disa vendeve për të ndërhyrë tek rezultati

admin