Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), njoftoi se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT, i ka kërkuar të bëjë kufizime emergjente të energjisë për shkak të renies nga sistemi i njësisë A3.
KEDS-i njoftoi të dielën se sipas kësaj, do të prodhohen më pak se 400 megavatë, duke e bërë situatën të pafavorshme.
“Në ballafaqim me kufizime emergjente, do të jetë shumë e vështirë të njoftohen të gjithë konsumatorët në kohë, për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre.. Aktualisht kufizimet janë dy orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike. Përdorimi i saj në mënyrë efiçiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.
Ky institucion shtoi se duhet vepruar “të bashkuar në mënyrë që t’i kapërcejmë problemet sa më lehtë”. /koha