Gabimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk duhet të përsëriten në rastin e Ukrainës, deklaroi kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, sipas të përditshmes amerikane “Chicago Tribune”.
Morawiecki kujtoi qëndrimin pasiv të Evropës ndaj Rajhut të Tretë në fazën e hapjes së Luftës së Dytë Botërore dhe paralajmëroi për rrezikun e një përgjigjeje të ngjashme ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
“Pushtimi është i mundur, sepse bota ka harruar mësimet që rrjedhin nga shekulli XX”, tha Morawiecki.
Duke vënë në dukje se Perëndimi e ka ndaluar në mënyrë të turpshme nga kujtesa, hezitimin e tij fillestar për t’iu kundërvënë Hitlerit, ai theksoi se ky kujtim duhet të shërbejë si udhërrëfyes përballë konfliktit të sotëm.
“Aftësia për t’u përballur me faktet rreth Luftës së Dytë Botërore është detyra jonë jo vetëm në lidhje me të kaluarën, por edhe në lidhje me të ardhmen”, tha ai.
Në këtë kontekst ai kujtoi se Polonia ishte vendi i parë që iu kundërvu Hitlerit.
“Polonia ishte e para që refuzoi nënshtrimin. Ajo zgjodhi të ishte besnike ndaj lirisë dhe besnike ndaj vlerave themeluese të qytetërimit perëndimor. Ajo u tradhtua nga aleatët e saj”, tha Morawiecki.
Morawiecki nënvizoi se pushtimi gjerman i Polonisë ishte shumë më brutal sesa në vendet perëndimore të pushtuara nga nazistët dhe se gjermanët kryen pjesën më të madhe të Holokaustit në territorin e saj. /atsh