Ukraina ka thënë se të martën se ka për qëllim të çlirojë të gjithë territorin e saj, pasi ka zmbrapsur forcat ruse në verilindje të vendit në një ofensivë të shpejtë.
Por i ka bërë thirrje Perëndimit t’i përshpejtojë dërgesat e sistemeve të armëve për të mbështetur avancimin, shkruan CNN-i të martën.
Që kur Moska braktisi bastionin e saj kryesor në Ukrainën verilindore, të shtunën, duke shënuar humbjen e saj më të rëndë që nga ditët e para të luftës, trupat ukrainase kanë rimarrë dhjetëra qytete dhe këtë e kanë quajtur “ndryshim mahnitës në fushëbetejë”.
Luftimet janë ende aktive në rajonin verilindor të Kharkivit, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, duke shtuar se forcat ukrainase po bëjnë përparim të mirë, sepse janë shumë të motivuara dhe operacioni është i planifikuar mirë.
“Qëllimi është të çlirohet rajoni i Kharkivit dhe më gjerë, të gjitha territoret e pushtuara nga Federata Ruse”, tha ajo.
Në një fjalim të bërë të hënën vonë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Perëndimi duhet të përshpejtojë me dërgesat e sistemeve të armëve, duke u bërë thirrje aleatëve të Ukrainës që të “forcojnë bashkëpunimin për të mposhtur terrorin rus”.
Që nga nisja e pushtimit rus më 24 shkurt, Washingtoni dhe aleatët e tij i kanë ofruar Ukrainës miliarda dollarë armë që Kievi thotë se kanë ndihmuar në kufizimin e përfitimeve të Moskës. Forcat ruse kontrollojnë rreth një të pestën e vendit në jug dhe lindje, por Ukraina tani është në ofensivë në të dyja zonat. /koha