RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Serbët e Kosovës s’i ndërrojnë targat, ata që i ndërruan – e pësuan

serbet-e-kosoves-s’i-nderrojne-targat,-ata-qe-i-nderruan-–-e-pesuan

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vazhdon të mbetet pjesa më problematike për sigurinë kombëtare.

Shumë shpesh cak i sulmeve të strukturave ilegale në këtë anë janë vetë qytetarët lokal, por edhe zyrtarët policorë të cilët punojnë në atë anë.

Edhe pse marrëveshja për dokumentet hyrje-dalje në Kosovë dhe anasjelltas solli sado pak qetësi në veri, çështja e marrëveshjes për targat e automjeteve vazhdon të mbajë pezull këtë.

Drejtuesit e institucioneve përgjegjëse në Kosovë kanë vazhduar të bëjnë thirrje të njëpasnjëshme që serbët të ndërrojnë targat e automjeteve nga ato ilegale në legale, apo në targa RKS.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar ministrinë e Punëve të Brendshme nga ku është theksuar se procesi i targave është duke ecur mirë.

“Procesi i regjistrimit të ndërrimit të targave nga ato ilegale në targa të Republikës së Kosovës është duke ecur mirë pa ndonjë problem dhe vështirësi”,u tha në përgjigjen e MPB-së.

Por pavarësisht kësaj, numri i qytetarëve që kanë zgjedhur të ndërrojnë targat e automjete është shumë i ulët.

Deri më tani janë vetëm pesë automjete të cilat janë regjistruar nga targat ilegale në targat RKS.

E sipas MPB-së, të gjitha këto regjistrime janë nga komuna të ndryshme të vendit.

“Deri më tani janë regjistruar pesë automjete nga targat ilegale në targa RKS. Të pesë regjistrimet e lartpërmendura janë të komunave të ndryshme”.

Ndërrimi i targave nga ato ilegale në targa RKS, parashikohet të bëhet deri më datën 31 tetor 2022. E pak ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri thirrje publike që serbët të vendosin targat legale të Kosovës.

Një thirrje të ngjashme e pati edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai realizoi një video-incizim në gjuhën serbe, nga ku i bënte thirrje serbëve që të ndërrojnë tabelat në RKS.

“Sa i përket 1 shtatorit, vazhdon fushata për konvertimin e targave, nga ato që i ka lënë regjimi i Millosheviqit e Serbia e secilit pushtet i ka vazhduar, tek ato që janë legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës dhe kjo do të vazhdojë deri më 31 tetor. Edhe një herë të gjithë komunitetit serb në Kosovë i inkurajojmë ta shfrytëzojnë incentivën tonë që konvertimi i targave bëhet pikërisht duke mos pasur nevojë që të paguhet TVSH-ja, akciza dhe dogana”, theksoi Kurti.

Pavarësisht këtyre thirrjeve, dy nga rastet të cilët i ndërruan këto targa përfunduan duke u sulmuar në veri të Kosovës.

Dje është raportuar se një serb, zyrtar policor i Kosovës kishte ndërruar targat e veturës, veturë kjo e cila më pas është djegur tërësisht.

Përpos kësaj, një qytetari tjetër raportohet t’i jetë djegur depoja në veri, si shkak i vendosjes së tabelave RKS.

Pas këtyre, Sveçla ka kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që të ndalojë së përkrahuri strukturat ilegale në veri të Kosovës.

Lidhur me këto zhvillime së fundi janë deklaruar edhe nga NATO.

NATO-ja është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve në mesin e minoritetit serb, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.

“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Luca Piperni.

Piperni ka thënë se situata aktualisht është e qetë, mirëpo e brishtë, andaj NATO-ja nuk përjashton mundësinë e tensioneve të reja, apo dhunës, kur të skadojë afati i regjistrimit të makinave më 31 tetor.

“Nëse situata përkeqësohet, ne jemi gati të intervenojmë, ne jemi të gatshëm që të jemi në mes të protestuesve dhe organizatave të sigurisë.Ne kemi forca të mjaftueshme për t’u përballur me situatën. Me një numër të tillë trupash, ne mund t’i japim fund secilit lloj të tensionit”, ka thënë Piperni, duke iu referuar trupave jashtë Kosovës, që mund t’i angazhojë NATO-ja si përforcime.

Ndryshe autoritetet në Serbi kanë thënë se vendimet e tilla të Qeverisë së Kosovës synojnë dëbimin e serbëve nga veriu i Kosovës.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është arritur marrëveshja e dokumenteve për hyrje-dalje në territorin e Kosovës dhe Serbisë. Nga 1 shtatori të gjithë kosovarët që hyjnë në Serbi mjaftojnë të kenë letërnjoftimin për të kaluar kufirin, e procedurë e njëjtë është edhe me serbët të cilët hyjnë në Kosovë.

Por ende nuk është finalizuar marrëveshja për targat, e cila siç duket ka gjetur pak mbështetje nga serbët në Kosovë.

Related posts

Raporti: 800,000 ushtarë do të jenë në Ukrainë deri në fund të vitit

admin

VOA: Kriza e trafikimit të qenieve njerëzore, Nju Jorku renditet në vend të katërt në SHBA

admin

Armeni, 8 të arrestuar për tentativë për marrjen e pushtetit me forcë dhe atentat ndaj kryeministrit

admin