Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha sot në Budvë se karakteristikë e rajonit të Ballkanit Perëndimor është se “kemi një përballje mes dy pikëpamjeve për të ardhmen e rajonit”. Ai theksoi se situata në Ballkan sot është më e keqe krahasuar me gjashtë vjet më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjukanoviq foli në panelin presidencial me presidentin slloven Borut Pahor për perspektivën e Ballkanit Perëndimor.
“Pas përfundimit të luftës në Bosnjë e Hercegovinë, deri para disa vitesh kishim një lloj euro-entuziazmi. Pas kësaj, ka ardhur deri tek konfrontimi. Njëra është entuziazmi që nxiti të gjitha strukturat shoqërore për reforma që duhej të çonin në miratimin e standardeve, të cilat do të na çonin drejt anëtarësimit në BE në të ardhmen e afërt. Në kundërshtim me atë politikë, tani ka një front të fortë rezistence të atyre që janë në favor të ‘status quo’-s dhe që mendojnë se BE-ja është një qytetërim i kalbur dhe se është më mirë që Ballkani të qëndrojë në shtigjet e veta dhe të vendoset nën ombrellën e sigurisë së Rusisë”, tha Gjukanoviq.
Ai thotë se kjo vërehet edhe në Mal të Zi.
“Gjashtë-shtatë vitet e fundit, pas tezës së lansuar më parë për lodhjen e BE-së nga zgjerimi, ne fillimisht kemi pasur një ngecje, pastaj një paralizë të politikës së zgjerimit. Nuk ka vakum në gjeopolitikë, ku nuk ka BE, hyjnë të tjerët. Të paktën tre vende aplikuan për të mbushur atë vakum dhe më keqdashësja është politika hibride e Rusisë ndaj Ballkanit”, theksoi Gjukanoviq.
Ai vlerësoi se situata në Ballkan është më e keqe sesa përpara gjashtë-shtatë viteve.
“Ka dy arsye – e para është se kemi zhgënjim në publikun e Ballkanit Perëndimor, ka më pak njerëz që besojnë në të ardhmen e parashikueshme të BE-së dhe këtë e dëshmojnë informacionet që na kanë dhënë liderët e rajonit. Kam dëgjuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti i Serbisë se politika evropiane nuk ka më politikë të shumicës në ato vende”, tha Gjukanoviq.
Presidenti malazez potencoi se veprimi rus në zonën e Ballkanit Perëndimor ishte shumë malinj.
“Ne jemi dëshmitarë të një shkatërrimi serioz evropian të Ballkanit Perëndimor. Në një mjedis të tillë keni politika nacionaliste. Presidenti rus Vladimir Putin nuk vepron në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor, ai vepron kundër Perëndimit. Ai inkurajon politikat anti-evropiane në Ballkanin Perëndimor”, tha Gjukanoviq.