Një tërmet me magnitudë 4.9 ballë të shkallës Rihter ka goditur lagjen Buça në provincën turke të Izmirit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu tha se 31 persona u drejtuan në spital për shkak të panikut të shkaktuar nga tërmeti që goditi zonën në orën 3:20 të mëngjesit me kohën lokale.
Sipas tij, tre persona të lënduar janë duke u trajtuar ndërsa njëri ndodhet në gjendje të rëndë. Soylu konfirmoi se nuk kishte viktima.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Reduktimit të Pasojave, Orhan Tatar tha se mund të ndodhin pasgoditje deri në 4 ballë dhe se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm.
Si pasojë e tërmetit është shembur minareja e xhamisë Selahattin Oglu.