RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BERZH jep hua për të mbështetur projektet hekurudhore në Maqedoninë e Veriut 

berzh-jep-hua-per-te-mbeshtetur-projektet-hekurudhore-ne-maqedonine-e-veriut 

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka zgjeruar financimin për ndërtimin e një seksioni lindor të rrjetit hekurudhor në Maqedoninë e Veriut.

Pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian, projekti do të mbështetet nga një hua prej 200 milionë eurosh nga BERZH, së bashku me një grant prej 75 milionë eurosh nga BE-ja.

Për të ofruar mbështetje teknike për përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projekteve, donatorët e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), kanë dhënë 6 milionë euro në grante.

Një event u mbajt për të shënuar fillimin e punimeve ndërtimore në pjesën prej 34 km nga Beljakovce në Kriva Palanka.

Kompania austriake Strabag do të jetë përgjegjëse për punimet e seksionit nga Kumanova në Beljakovce, ndërsa kompania turke Gülermak do të ndërtojë seksionin nga Beljakovce në Kriva Palanka.

Duke filluar nga Kumanova, pjesa lindore prej 89 km e Korridorit VIII, do të përfundojë në Dave Bair, në kufirin me Bullgarinë, duke kaluar përmes Beljakovce dhe Kriva Palanka.

Projekti do të ndihmojë në përmirësimin e sistemit të transportit të Maqedonisë së Veriut, pasi pjesa lindore e Korridorit VIII të jetë plotësisht funksionale.

Kreu i BERZH për Maqedoninë e Veriut, Andi Aranitasi, tha: “Përmirësimi i infrastrukturës së transportit dhe i hekurudhave, si një mënyrë transporti më e sigurt dhe më e gjelbër, jo vetëm që do të përmirësojë lidhjen rajonale dhe do të hapë mundësi të reja ekonomike dhe tregtare, por gjithashtu luan rol kyç në adresimin e çështjes urgjente të ndryshimeve klimatike”.

Filluan gjithashtu punimet në rrjetin hekurudhor të Shqipërisë, duke përfshirë rindërtimin e lidhjeve hekurudhore për të lidhur, nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, portin shqiptar të Durrësit në Adriatik, me portin e Varnës në Detin e Zi në Bullgari.

BERZH deri tani ka rënë dakord të sigurojë 940 milionë euro për projektet hekurudhore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu planifikon të shpërndajë 840 milionë euro të tjera në një periudhë afatmesme. /monitor

Related posts

Dyshime për mjet shpërthyes në oborrin e QKUK-së

rezart morina

OBSH: Nuk kemi statistika për vdekjet nga Covid-19 në të gjithë botën

admin

Izraeli mbyll Xhaminë Ibrahimi për adhuruesit muslimanë për shkak të Pashkës hebraike

admin