Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.
Ai atyre u ka dëshiruar shërim të shpejtë, teksa ka përmendur faktin se i dyshuari është arrestuar.
Kurti ka thënë se Policia është e angazhuar në kryerjen e detyrave të veta, me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.
Postimi i plotë i Kurtit:
E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë.
Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm.
Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.