RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BE e shqetësuar se Rusia mund të përdorë emigrantët si armë: Po planifikon migrim të organizuar

be-e-shqetesuar-se-rusia-mund-te-perdore-emigrantet-si-arme:-po-planifikon-migrim-te-organizuar

BE-ja thotë se vitin e kaluar u përball me sfida të papara në kuftijtë e saj, mes një rritjeje të numrit të azilkërkuesve në brigjet jugore të Evropës dhe largimit të miliona ukrainasve nga vendi i tyre për të shpëtuar nga sulmi rus. Siç njofton korrespondenti Henry Ridgwell, ekziston frika se Moska po planifikon të krijojë një krizë të re emigrantësh në kufijtë e Bashkimit Evropian.

Gjatë vitit 2022 Bashkimi Evropian regjistroi 330 mijë kalime të parregullta kufitare – një rritje e madhe me 64 për qind nga viti i kaluar, sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex. Kjo shifër nuk përfshin miliona refugjatë ukrainas. Sirianët, afganët dhe tunizianët së bashku, përbëjnë pothuajse gjysmën e kalimeve të jashtëligjshme kufitare, ndërsa janë kapur edhe një numër emigrantësh nga Egjipti, Bangladeshi dhe Nigeria.

“Situata e sigurisë dhe gjendja ekonomike në shumicën e këtyre vendeve është përkeqësuar edhe më shumë gjatë vitit të kaluar”, thotë Martin Hofmann nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit.

Shumica e emigrantëve përdorin rrugët përmes Ballkanit Perëndimor dhe ato të Mesdheut Qendror në drejtim të Italisë. Këtë muaj qeveria italiane miratoi një sërë ligjesh për azilin, masa që sipas organizatave bamirëse si “Mjekët pa Kufij” vështirësojnë shpëtimin e emigrantëve në det dhe nxjerrjen e tyre në breg. Greqia po godet edhe organizatat që shpëtojnë emigrantët.

Analistja Camino Mortesa-Martinez thotë se lufta në Ukrainë ka ashpërsuar qëndrimet politike.

“Toni i tanishëm në Evropë është se ne po përballemi me një krizë masive refugjatësh në rajonin tonë. Përse duhet të përballemi me të gjitha konfliktet edhe në pjesët tjera të botës”, thotë ekspertja nga Qendra e Reformës Evropiane.

Nga fillimi i sulmit rus, trembëdhjetë milionë refugjatë kanë hyrë në Bashkimin Evropian, ndërsa rreth dhjetë milionë kanë kaluar nga Evropa në Ukrainë.

“Kemi parë se sulmet ndaj infrastrukturës civile janë pjesë e strategjisë ruse, që deri tani, nuk kanë rezultuar me shtim të refugjatëve. Shoqëria dhe ekonomia ukrainase po tregojnë një qëndresë të jashtëzakonshme. Por gjërat mund të ndryshojnë kur situata bëhet e padurueshme për një popullsi të madhe”, thotë eksperti Hofmann.

Ai thotë se refugjatët ukrainas tashmë kanë nisur integrimin në tregun evropian të punës.

“Për azilkërkuesit viti i parë është një periudhë orientimi, për rivendosjen e bazave të jetës si gjetja e një vendi për të qëndruar, shkolla për fëmijët dhe kujdesi shëndetësor. Pra, futja reale në tregun e punës fillon në vitin e dytë dhe të tretë”, thotë zoti Hofmann. Ndërkohë, Bashkimi Evropian akuzon Bjellorusinë se që nga viti 2021 po kryen atë që e quan “migrim të organizuar” nga territori i saj – duke inkurajuar emigrantët të kalojnë kufirin me Poloninë. BE-ja frikësohet se Rusia mund të përdorë taktika të njëjta.

“Kremlini ka shtuar numrin e fluturimeve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore drejt enklavës ruse të Kaliningradit, ndoshta për të prodhuar një krizë të re”, thotë analistja Mortera-Martinez. Muajin e ardhshëm BE-ja do të ketë një takim të nivelit të lartë për koordinimin e politikave të migracionit. Vëzhguesit thonë se duke parë qëndrimet e ndryshme të vendeve anëtare, shanset për ndonjë përparim janë të pakta. /voa

Related posts

Shefja e Komisionit Evropian konfirmon vazhdimin e ndihmës humanitare për Palestinën

rezart morina

Scholz: Jemi përgatitur për një dimër pa probleme energjetike

admin

“I pret një hakmarrje e pashmangshme”- Putin kërcënon: Ata që tentojnë të përçajnë Rusinë…

admin