Doli në pah se Rasmus Paludan, lideri i Partisë “Stram Kurs” (Linja e Rreptë), para se të digjte Kuranin nën mbrojtjen e policisë në Stokholm, ka mundësuar lirimin e shokut të tij të ndaluar nga policia suedeze, raporton Anadolu Agency (AA).
Fotoreporteri Orhan Karan, i cili ka ndjekur provokimin e Paludan-it në afërsi të ambasadës turke në Stockholm, tha se një person të cilin e ka njohur nga aktet e mëparshme të ngjashme të Paludan-it dhe të cilin e njeh si shoku i afërm i liderit të ekstremit të djathtë, i është afruar papritur me një qëndrim agresiv më 21 janar gjatë incidentit dhe e ka kërcënuar me sulm para se ta abuzonte verbalisht.
“Abuzimin verbal e shndërroi në një sulm fizik. Policët që erdhën në vendngjarje menjëherë e arrestuan pasi e dëshmuan rastin. Pastaj, më thanë se (sulmuesi) është larguar nga zona”, tha ai.
Shkurt kohë pas incidentit, Karan theksoi se Paludan ka ardhur në zonë dhe u ka thënë policëve se nuk do të largohet nga automjeti përderisa nuk e lirojnë shokun e tij të arrestuar.
Karan tha se policia i është nënshtruar kërkesës së Paludan-it dhe atë person e ka sjellë në vendin ku u realizua provokimi. “Do të thotë e liruan një person i cili është përfshirë në një krim ose akt dhune”, shtoi Karan.
Gazetari Karan bëri të ditur se personi në fjalë ka filmuar drejtpërdrejt aktin e djegies së Kuranit nga Paludan.
Karan deklaroi se do të paraqesë kallëzim penal kundër policëve që lejuan Paludan-in të kryente veprimin e tij, duke shtuar se policia më pas i ka kërkuar falje për lirimin e personit në fjalë.
Ai tha se është habitur nga reagimi i policisë, ndërsa shtoi se në kushte normale personat e ndaluar dërgohen në stacion policor. /aa