RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe BotëTurqi

Çavuşoğlu-Dendias në zonën e tërmetit: Nuk duhet të presim një tërmet tjetër për t’i përmirësuar marrëdhëniet

cavusoglu-dendias-ne-zonen-e-termetit:-nuk-duhet-te-presim-nje-termet-tjeter-per-t’i-permiresuar-marredheniet

Turqia dhe Greqia nuk duhet të presin një tërmet tjetër për të përmirësuar marrëdhëniet, tha sot ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu.

Duke folur para gazetarëve me homologun e tij grek Nikos Dendias në provincën Hatay të goditur nga tërmeti në Turqinë jugore, Çavuşoğlu përshëndeti mbështetjen e Greqisë pas tërmeteve shkatërruese në fillim të kësaj jave.

“Fakti që Nikos Dendias është këtu me ne sot tregon solidaritetin e popullit grek me Turqinë dhe kombin turk”, tha Çavuşoğlu.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore shihen në kohë të tilla sfiduese”, shtoi ai.

Kryediplomati turk kujtoi tërmetin e vitit 1999 në Marmara dhe tha se Greqia gjithashtu përjetoi tërmete atëherë vetëm një muaj pas Turqisë.

“Në atë kohë, e para Greqia nxitoi për të na ndihmuar, pastaj Turqia nxitoi për të ndihmuar Greqinë”, tha Çavuşoğlu, ndërsa citoi një lajm të atëhershëm nga revista e lajmeve Time.

Çavuşoğlu i kishte dërguar një letër revistës Time si qytetar i zakonshëm turk në lidhje me historinë e marrëdhënieve Turqi-Greqi.

“Solidariteti në lidhjet e vështira është i rëndësishëm, por nuk duhet të presim një tërmet tjetër për të zhvilluar marrëdhëniet”, kishte thënë ai.

“Unë atëherë e thashë këtë si një qytetar i thjeshtë turk. Sot, si ministër i Jashtëm Turqisë, ndaj të njëjtin mendim”, theksoi ai.

Çavuşoğlu kërkoi dialog “të sinqertë” për të kapërcyer dallimet në opinione.

Ministri i Jashtëm turk shprehu gjithashtu mirënjohje për Dendiasin, qeverinë e tij dhe gjithë popullin grek për “mbështetjen e dhënë në kohë të tilla të vështira”.

Nga ana e tij, Dendias u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për Turqinë e goditur nga tërmeti.

“Ne (Greqia) do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për të kapërcyer kohët e vështira (në Turqi), si në nivel dypalësh, ashtu edhe në nivel të BE-së”, tha ai.

Kryediplomati grek gjithashtu përsëriti fjalët e ministrit Çavuşoğlu, duke thënë se dy vendet nuk duhet të presin një tërmet tjetër për të përmirësuar marrëdhëniet.

Dendias është ministri i dytë i jashtëm që viziton Turqinë pas dy tërmeteve të fuqishme.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë, me epiqendër në Kahramanmaraş, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Hatay, Gaziantep, Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanliurfa.

Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

Sipas shifrave të fundit, mbi 24.600 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe mbi 80.000 janë lënduar.

Ndërkaq, në Sirinë fqinje, numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 3.500, ndërsa më shumë se 5.200 janë lënduar.

Related posts

Osmani: Nëse dikush bën dialog me Serbinë për Urën e Ibrit, e shkel sovranitetin dhe Kushtetutën

RTI

Vdes një foshnjë në QKUK, policia nis hetimet

rezart morina

Numri i të vd’ekurve rritet në 40 nga ma’sakra në al-Mawasi

admin