RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani: Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti janë të panegociueshme

osmani:-teresia-territoriale,-kushtetutshmeria,-rendi-juridik-e-sovraniteti-jane-te-panegociueshme

Para popullit të Kosovës, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës janë dhënë mesazhet e liderëve politikë në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë nderime për të rënës e luftës për liri, përfaqësuesit që kontribuuan në shtetndërtim dhe të policëve e ushtarëve. Ajo ka përmendur ushtarët e FSK-së të cilët gjenden në Turqi në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, duke thënë se nuk duhet të harrohet kontributi i shërbyesve të shtetit.

“T’i kujtojmë bijtë e bijat tonë që të rreshtuar në UÇK sakrifikuan jetën në mbrojtje të vendit, komandantin Adem Jasharin që i priu rezistencës për liri, t’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura që për 15 vjet kontribuuan në këtë vend. Kujtojmë edhe kontributin e ushtarëve e policëve tanë, përfshirë ushtarët e FSK-së që derisa sot ne po festojmë 15 vjetorin e shteti tonë, ata po luftojnë për shpëtimin e jetën nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë”.

Osmani ka falënderuar bashkësinë ndërkombëtare për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Kur ne jemi të shtypur e luftonim për lirinë, kur u çliruam dhe filluam jetën demokratike, ata janë këtu edhe sot, partner të besueshëm e të qëndrueshëm që bashkërisht po e ndërtojmë të ardhmen tonë”.

Presidentja ka deklaruar se karshi Serbisë Kosova është e bashkuar, pavarësisht dallimeve. Ajo ka theksuar se forcat destruktive po provojnë ta cenojnë shtetësinë, por siç ka thënë ajo, përpara Serbisë “jemi një”.

“Sigurisht Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi sfidave e kërcënimeve që e kanë sfiduar kontinentin. Por nuk mund t’i injorojë as kërcënimet ndaj saj që vijnë si rrjedhojë e përpjekjeve për ta minuar shtetësinë tonë. Sot e kësaj dite forcat destruktive provojnë ta cenojnë shtetësinë tonë. Provojnë ta ushtrojnë ndikimin e tyre duke përdorur përpjekjen për ta thyer unitetin tonë historik karshi çështjeve madhore. Por, nuk duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet karshi sfidave të tilla. Në përballje me Serbinë duhet dhe do të jemi një”.

“Pavarësisht dallimeve në pikëpamje, ide dhe platforma politike spektri politik vendit do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen të minojnë shtetin tonë apo të pengojnë përparimin e tij. Beteja për fuqizim ndërkombëtar, anëtarësim në organizata e rruga drejt integrimit euroatlantik kërkon bashkëveprim të plotë me shtetet mike”.

Duke folur edhe për dialogun, ka thënë se ka vetëm një epilog dhe ajo është njohja reciproke.

“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, një epilog që e kemi thënë të gjithë dhe që e ka thënë edhe presidenti Biden, ajo është njohja reciproke. Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti janë të panegociueshme”.

Related posts

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit të përfshirë në vrasjen e Triumf Rizës

admin

Një i vrarë dhe dy të plagosur në Shkup

RTI

Kosova partneri kryesor i Shqipërisë për eksportet në rajon, ndërsa Serbia në vend të parë për importet

RTI