OKB-ja njoftoi se më shumë se 83 mijë persona u strehuan në Etiopi për shkak të përleshjeve të vazhdueshme midis forcave të Somalilandit, e cila shpalli pavarësinë e njëanshme nga Somalia dhe opozitës që nga 6 shkurti, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) thuhet se civilët kaluan në rajonin Doolo të Etiopisë për shkak të konflikteve të vazhdueshme në qytetin Las Anod në Somaliland dhe zonat përreth.
Deri më tani në Etiopi janë strehuar mbi 83 mijë civilë ndërsa shumica e refugjatëve janë fëmijë dhe gra.
Shumica e civilëve që kaluan në Etiopi nuk kishin tendë për të qëndruar dhe ballafaqoheshin me mungesë ushqimi. Lidhur me këtë situatë iu bë thirrje urgjente komunitetit ndërkombëtar.
Numri i të vdekurve u rrit në 112 në përleshjet midis forcave të Somalilandit dhe opozitës në qytetin Las Anod që nga 6 shkurti.
Opozitarët kërkojnë që ushtarët e Somalilandit të largohen nga rajonet Sool dhe Sanaag dhe t’i bashkojnë këto rajone me shtetin somalez.