Në 12-vjetorin e fillimit të protestave paqësore kundër regjimit të Bashar al-Assad në Sirinë veriore, sirianët organizuan demonstrata duke vazhduar me thirrjet për t’i dhënë fund regjimit shtypës, raporton Anadolu.
Kanë kaluar plotë 12 vjet që kur filloi kryengritja popullore në provincën jugore Daraa më 15 mars të vitit 2011, kur një grup nxënësish të shkollave fillore shkruan në një mur shkolle “Doktor, është radha jote tani”, duke iu referuar liderit të regjimit sirian, al-Assad.
Në provincën Idlib dhe rrethet Al Bab, Azez dhe Tel Abyad, të cilat janë nën kontrollin e opozitës në veri të vendit, njerëzit u mblodhën për të përkujtuar përvjetorin e fillimit të protestave paqësore.
Protestuesit brohoritnin slogane të tilla si “Regjimi vrasës i Assad-it duhet të mbajë përgjegjësi”, “Ne duam që regjimi të bjerë” dhe “Ne duam që civilët e zhvendosur me forcë të kthehen në shtëpitë e tyre”.
Hadi Abdullah, një nga aktivistët që mori pjesë në demonstrata, tha për Anadolu se qëndrimi i tyre ndaj regjimit nuk do të ndryshojë.
“Ky popull, i cili ka vuajtur nga dhimbjet, shtypjet dhe sulmet për 12 vjet, do të vazhdojë të luftojë kundër regjimit”, tha ai.
Musa Ibrahim, një nga civilët që mori pjesë në demonstrata në Idlib për të shprehur pikëpamjet e tij kundër regjimit, kujtoi se regjimi ka zhvendosur me forcë civilët duke injoruar ligjet ndërkombëtare.
“Ne jemi pronarët e ligjshëm. Ne jemi paditësit. Ne kërkuam liri. Ne kërkuam një jetë dinjitoze. Ne nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona”, tha ai.
Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), në luftën siriane që nga viti 2011 janë vrarë mbi 230 mijë civilë dhe mbi 13 milionë të tjerë janë zhvendosur.