Presidenti i Finlandës njoftoi të mërkurën se Turqia ka marrë vendim lidhur me ratifikimin e aplikimit të shtetit të tij në NATO.
Sauli Niinisto tha se do të vizitojë Stambollin gjatë kësaj jave për të dëgjuar vendimin nga homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Turqit kanë shpresuar se unë do të jem atje për të pranuar përgjigjen kur ata të japin njoftimin. Sigurisht, unë kam pranuar dhe do të shkoj ta pranoj përgjigjen e tyre”, tha Niinisto.
Erdogan ka sinjalizuar se do t’i japë dritën jeshile Finlandës. Ai tha të mërkurën se “ne do të bëjmë pjesën tonë, do të mbajmë premtimin që kemi dhënë”.
“Të premten, ne do të takohemi me presidentin [e Finlandës], ne do të bëjmë atë që thotë premtimi që kemi dhënë”, tha ai për gazetarët.
Ratifikimi zyrtarisht duhet të kalojnë përmes votimit në Parlamentin e Turqisë.
Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe. Turqia shprehu frustrimin e saj lidhur me atë që e sheh si dështim të Suedisë për t’iu përmbajtur zotimeve të marrëveshjes, ndërsa ka shprehur vullnet që Finlanda të ecë drejt anëtarësimit në aleancën perëndimore ushtarake.
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha të martën se gjasat që Finlanda të anëtarësohet në NATO para shtetit të tij janë “rritur javëve të fundit”.
Finlanda dhe Suedia hoqën dorë nga politika e mosangazhimit ushtarak dhe majin e kaluar aplikuan për anëtarësim në NATO, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në Janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran. Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.
Turqia ka akuzuar Suedinë se është bërë “strehë” për anëtarët e organizatave që Ankaraja i konsideron terroriste. /rel