NATO ka mirëpritur pajtueshmërinë e Kosovës dhe Serbisë mbi Aneksin e zbatimit të Planit evropian.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu i ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë ta zbatojnë atë për të cilën janë pajtuar.
“Ne e mirëpresim marrëveshjen nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në rrugën për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne i inkurajojmë palët që t’i implementojnë ato për çka kanë rënë dakord. Ne jemi të përkushtuar për stabilitet në rajon”, ka thënë ajo në Twitter.
Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të Planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut disa orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.