Ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nesër më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.
Ndërsa versioni i aktakuzës me më pak redaktime, e cila është në fuqi aktualisht, u dorëzua në shkurt të këtij viti.
Gjatë ditës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë i ka në dispozicion 5 orë.
Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.
Krejt këto pritet të përfundojnë të mërkurën, më 5 prill, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë me thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë.
Telegrafi do të mbuloj direkt gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së dhe do t’ju sjell informacione në kohë reale.