Me ofendime e akuza mes deputetësh u përcoll vazhdimi i seancës parlamentare për punën dyvjeçare të Qeverisë. Armend Zemaj i LDK-së përdori shprehje fyese ndaj ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, për t’iu tërhequr vërejtja nga kryeparlamentari. Ndërkaq për kryeministrin Albin Kurti u rezervuan akuza se ka ambicie diktatori.
Kapërcyen në fyerje kritikat e deputetëve të partive opozitare në Kuvend, në vazhdimin e debatit për punën dyvjeçare të kabinetit qeveritar.
Qeverisja aktuale u kritikua për mospërmbushjen e asnjë premtimi elektoral dhe të asnjë pike të programit qeverisës, përderisa u akuza për lidhje të kundërligjshme të kontratave.
“Kur keni qenë në opozitë dhe kur ministritë tjera kanë nënshkruar kontrata edhe në qoftë se e kanë pasur vlerën 1 mijë euro, ju këtë e keni quajtur korrupsion. Sot kontrata 55 milionë me negocim të drejtpërdrejtë dhe askush asnjë fjalë”, ka thënë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“Zonja Bajrami, nuk ka kontrata të dëmshme më sikur bëheshin një kohë në Kosovë. Kjo është shumë me rëndësi se është standard i ri, ka respektim të procedurave të transparencës të rekrutimit”, iu përgjigj ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
E mes ministrit të Kulturës e një deputeti tjetër të LDK-së, më pas nisi një polemikë më e ashpër.
“Shumica e subvencioneve thatë kanë shkuar në Prizren është gënjeshtër zoti Zemaj, është gënjeshtër”, u shpreh Çeku.
“Dil arsyetohu këtu, dil para Kuvendit të Kosovës hajn”, iu referua Zemaj.
Debati u përcoll me gjuhë joparlamentare e fyese, kur deputeti Zemaj iu drejtua ministrit Çeku me fjalët: “rrugaç, majmun e laper”.
Për këtë nivel diskutimi pati një ndërhyrje nga kryeparlamentari.
“Fjalët tjera që po i përdorni ju zoti Zemaj janë joparlamentare. Nuk është në rregull dhe nuk e lejoj këtë në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Deputetët e kaluan diskutimin te rrafshi i shëndetësisë, për të cilin vlerësimin e dha deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
“Ai premtimi i Kurtit se do ta largojë qenin topall nga QKUK-ja doli të jetë falso. Sepse, vetëm këtë vit, qeni i ka kafshuar tre mjekë në oborrin e QKUK-së”, deklaroi Haxhiu.
E teksa e kritikoi kryeministrin për punët e bëra gjatë dy vjetëve të qeverisjes, deputeti i LDK-së, Agim Veliu, e quajti Albin Kurti supermashtrues e me ambicie diktatori.
“E vetmja gjë që bëre ishte shkaktimi i krizave dhe varfërimi i popullit. Ke vendosur të qeverisësh me logjikën e diktatorit. Sa më shumë të varfërosh dhe t’ia trashësh zullumin popullit aq më shumë do të përulen”, tha Veliu.
Debati parlamentar për punën e Qeverisë nuk u përmbyll as të premten ndërsa vazhdimi i tij u caktua për të mërkurën e ardhshme.