RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Tri fshatra të thella të Mitrovicës mbesin të izoluara për mungesë transporti

tri-fshatra-te-thella-te-mitrovices-mbesin-te-izoluara-per-mungese-transporti

Deri para dy muajve ishte një linjë private transporti që i lidhte këto fshatra me Mitrovicën. Por, sipas banorëve, shoferi ndërroi punë, meqë iu prish automjeti. Tash nxënësit detyrohen të bëjnë shumë kilometra rrugë malore për të mbërritur në qytet, e rrugës ka rrezik edhe nga kafshët e egra
Tash dy muaj fëmijët e Safet Nezirit e bëjnë në këmbë rrugën malore të Tërstenës, që është rreth 5-kilometërshe, për të vijuar procesin mësimor në qytetin e Mitrovicës.

Linja private me kombibus që lidhte fshatrat Rashan, Tërstenë e Mazhiq me qytetin është ndërprerë. Sipas banorëve, shoferi ka ndërruar punë, pasi automjeti i është prishur.

Për të shkuar në Mitrovicë, banorët e Rashanit duhet të ecin 7 kilometra për të marrë autobusin në stacionin më të afërt, në fshatin Trepçali, që çon deri në qytet.

E banorët e Tërstenës duhet të ecin rreth 5 kilometra, kurse të Mazhiqit, rreth 1 kilometër.

Neziri ka treguar se fëmijët e tij nisen për në shkollë në gjashtë të mëngjesit. Ai ka thënë se ata rrezikohen çdo ditë nga kafshët e egra, pasi nuk ka automjet për t’i dërguar deri te stacioni më i afërt.

“Njëri është në fakultet, e njëri në shkollë të mesme. Qe 2 muaj nuk ka transport, është ndërprerë, kështu që kemi telashe shumë. Ka ujq, ka qen. Nuk kemi mundësi tjetër, me ndihmë sociale jemi”, ka thënë ai.

Në tri fshatra, që shtrihen në trevën malore të Shalës së Bajgorës, sipas banorëve, janë rreth 50 nxënës e studentë që udhëtojnë çdo ditë për të ndjekur mësimet në qytetin e Mitrovicës.

Drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu, ka thënë se janë duke i shqyrtuar mundësitë për t’iu ofruar transport nxënësve e studentëve.

“Sigurisht që kjo është brengë e jona edhe si qeverisje edhe si Drejtori e Arsimit. Zhvendosja e madhe e familjeve, posaçërisht nga fshatrat e Shalës po i shkakton edhe këto probleme si në Tërstenë e Rashan. Sa i përket shkollimit, deri në klasën e 9-të që është e garantuar me ligj, transporti bëhet, mirëpo për shkollat e mesme nuk kemi arritur të bëjmë zgjidhje”, ka thënë ajo.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Kushtrim Zeneli, njëherësh banor i fshatit Mazhiq, ka thënë se problemet me transport i kanë detyruar vendësit që të shpërngulen në zona urbane.

“S’ka transport tjetër, të vetmen mundësi që e kanë janë me vetura personale ose me ecë në këmbë. Tash për me ecë në këmbë iu duhen prej 5 deri në 7 kilometra, ata munden me i përdorë vetëm dy alternativa, në fshatin Smrekonicë ku prej aty me përdor transportin për në Mitrovicë, edhe në fshatin Trepçali te xhamia e Mazhiqit, ku është një transport që vjen prej Bajgorës”, ka treguar Zeneli. “Ato dy munden me i përdorë, tash për me i përdorë këto dy transporte atyre iu nevojiten me ecë prej 5-7 kilometra në këmbë”, shtoi ai.

Sipas tij, tani në këto tri fshatra jetojnë rreth 350 banorë.

“E pata ngrit si çështje edhe në seancën e fundit të Asamblesë Komunale, sepse edhe udhëtimi është rrezik se rruga është mal dhe ka një prani të madhe të qeneve. Për shkak se nuk i kushtohet rëndësi fshatit, ndër vite banorët janë shpërngulur”, ka treguar Zeneli.

Related posts

Kurti pro që Gjermania e Franca të jenë pjesë e dialogut: Do ta ndihmojnë marrëveshjen finale

admin

Borrell: Rusia po përpiqet ta kthejë Ukrainën në ”ferr”

admin

Mitsotakis: Greqia nuk do t’i japë Ukrainës tanke ‘Leopard 2’

admin