Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që brenda gjashtë muajve, jo më larg se me 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, por këto institucione ende nuk kanë nisur së zbatuari aktgjykimin lidhur me këtë rast.
Kështu thuhet në një komunikatë për media të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ku ritheksohet se me 30 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë aktgjykim, përmes së cilit ajo kishte deklaruar të pranueshme kërkesën e Gjykatës Supreme, e cila kishte ngritur dyshime për kushtetuetshmërinë e paragrafi 2 të nenit 8 te Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në lidhje me nënparagrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të udhëzimit administrativ nr.09/2015.
“Gjykata kishte vlerësuar se kjo dispozitë e Ligjit për Skemat Pensionale është në kundështim me Kushtetutën e Kosovës, (Brazia para Ligjit) dhe me Konventën Evropianë për të Drejtat e Njeriut (Ndalimi i Diskriminimit) dhe (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit). Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që brenda gjashtë muajve, jo më larg se me 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Në të njëjtën kohë, këto dispozita shfuqizohen me 15 korrik 2023. Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka monitoruar në vazhdimësi zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në rastin e këtij aktgjykimi, rezulton se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria ende nuk kanë nisur së zbatuari këtë aktgjykim.Projektligji për Skemat Pensionale, ishte i përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2021 dhe 2022 për miratim në Qeveri, por i njëjti nuk ishte miratuar. Në programin legjislativ për vitin 2023, përkundër obligimit që rrjedh nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 121-të, nuk e përfshin këtë projektligj në Programin Legjislativ”, thuhet në komunikatë.
IKD thekson se përmes kërkesës për qasje në informata dhe dokumente publike, ka kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nga kryetari i Kuvendit dhe nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasnfereve me pyetjen se kur do të fillojnë së zbatuari obligimet që dalin nga ky aktgjykim.
“Përveç MFPT-së, kryetari i Kuvendit dhe kryetari i KBPT-së, nuk kanë kthyer përgjigje përkundër faktit që u janë dërguar dy kërkesa për qasje në informata. MFPT, në përgjigjen e saj thotë se “agjenda legjislative është dokument dinamik i cili, siç është parë edhe në të kaluarën, pëson ndryshime gjatë vitit në kuptim që numër i konsiderueshëm projektligjesh i shtohet agjendës.” Në ndërkohë, pas kësaj përgjigje, programi legjislativ ndryshohet tre herë: me 31 janar 2023, duke u shtuar 2 projektligje, me 9 mars 2023 duke u shtuar një projektligj dhe me 13 prill 2023 duke u shtuar 12 projektligje. Sërish, Projektligji për Skemat Pensionale nuk përfshihet në agjendën legjislative për vitin 2023. Një reformë pensionale, ishte premtuar në fushatën elektorale të vitit 2021 nga partia që aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin, por e njëjta nuk është inicuar përkundër faktit që kanë kaluar dy vite të Qeverisë Kurti 2 dhe përkundër faktit që bartësit e këtyre dy institucioneve, janë në dijeni për mohimin e të drejtës në pension kontributdhënës për mijëra qytetarë të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
IKD shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me mos nisjen e zbatimit të këtij aktgjykimi, kur kihet parasysh se vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë dhe nuk ka ndonjë arsye të veçantë që mund ta pengojë Kuvendin dhe Qeverinë të nisë së zbatuari këtë aktgjykim, për të miratuar ndryshimet e kërkuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese.