RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Izrael – Dhjetëra mijëra protestues kundër reformës në drejtësi

izrael-–-dhjetera-mijera-protestues-kunder-reformes-ne-drejtesi

Mbi 160 000 banorë kanë dalë sërish dje në mbrëmje në protestë në Tel Aviv, për të kundërshtuar reformat e diskutueshme gjyqësore të qeverisë së krahut të djathtë të Izraelit.

Protestuesit u mblodhën edhe në qytete të tjera, sipas raporteve të mediave, duke valëvitur flamujt izraelitë.

Izraeli është përfshirë nga protesta masive për rreth katër muaj që kur qeveria e kryeministrit, Benjamin Netanyahu njoftoi planet e reformës në gjyqësor.

Me reformat në drejtësi, kritikët thonë se qeveria po kërkon të kufizojë ndikimin e Gjykatës së Lartë të vendit dhe të zgjerojë pushtetin e qeverisë.

Ndër të tjera, qeverisë do t’i jepej më shumë pushtet në emërimin e gjyqtarëve dhe parlamenti do të ishte në gjendje të rrëzonte vendimet e Gjykatës së Lartë me një shumicë të thjeshtë.

Pas kundërshtimit të gjerë nga shoqëria civile, si dhe nga brenda qeverisë dhe ushtrisë, Netanyahu e shtyu projektligjin për disa javë në fund të marsit, për të krijuar “hapësirë për dialog”.

Megjithatë, opozita është skeptike se qeveria do të arrijë një kompromis.

Deri më tani, nuk ka patur progres në bisedime.

Sipas raporteve të medias, qeveria fillimisht, kërkon të miratojë buxhetin për vitin 2023-2024, përpara se të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të dobësuar sistemin gjyqësor.

Nëse kjo nuk arrihet deri më 29 maj, do të duhet të shpallen zgjedhje të reja. /atsh

Related posts

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Stano: Arrestimi i zyrtarëve policorë të Kosovës nga Serbia, shqetësues

admin

Unioni Afrikan thirrje për hetim pas vdekjes së emigrantëve në Spanjë

admin

Shefja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të KiE: Serbisë i është ngushtuar rrethi, Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës

admin