RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Vuçiqi thotë se Kosova refuzoi draft-statutin: Asociacioni ose pranohet, ose do të jetë fundi i gjithçkaje

vuciqi-thote-se-kosova-refuzoi-draft-statutin:-asociacioni-ose-pranohet,-ose-do-te-jete-fundi-i-gjithckaje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala kosovare nuk ka pranuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar nga Ekipi Menaxhues, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti. Por ka shtuar se formimi i Asociacionit ose do të pranohet, ose do të jetë fundi i gjithçkaje.

“E kam ditur, por sot për herë të parë arritëm deri te një mur. Ishte e qartë në momentin kur u prezantua draft-statuti nga Ekipi Menaxhues, që e bëri në mënyrë profesionale. Reagimi i tyre [palës kosovare] pas kësaj ishte se është e papranueshme, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk lejojmë Republika Sërpska. Në të gjitha nenet e prezantuara, është thirrur në marrëveshjet e dakorduara të vitit 2013 dhe 2015. Nuk ka asnjë pikë në të cilën nuk është diçka që është dakorduar”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se është biseduar si pikë e tretë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.

Ka thënë se BE-ja doli me propozim, por pala kosovare refuzoi.

“Ishte një propozim që kishte të bënte me situatën pas zgjedhjeve, ju e dini që do të kemi një situatë të vështirë në ditët në vijim. Deri më datën 28, ata që kanë marrë 3.4 për qind të votave duhet të kenë nevojë që dikush të hyjë në zyra dhe të marrë ato hapësira, të hiqen flamujt e njërit dhe të vendosen disa të tjerë. E dini çfarë rreziku është dhe çfarë problemi sjell. E dinë edhe njerëzit në BE, prandaj ofruan një zgjidhje. Ndoshta do të flas për këtë për dy-tri ditë, e pranova, atë, Prishtina nuk e pranoi. Serbia tashmë ka pranuar shumë gjëra. Çfarë prisni të bëjmë? Unë prisja të takohesha me Demi Moore 25 vjet më parë, por nuk ndodhi. Kështu zhvillohen gjërat”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se shpreson të ketë ndonjë reflektim në takimin e radhës në nivel teknik.

“Nuk jam optimist, por mund të premtoj se do të bëjmë gjithçka për ta ruajtur paqen e stabilitetin”, tha Vuçiq. “Ose do të pranohet ajo që është rënë dakord në vitin 2013 dhe 2015, ose është fundi i çdo gjëje. Unë nuk dua të flas në emër të BE-së, ata e kuptuam mjaftueshëm në BE. Nuk më takon mua të flas në emër të Borrellit e Lajçakut. Unë kam paralajmëruar që në fillim se kjo do të ndodhte. Unë nuk jam kurrë i lumtur kur nuk ka marrëveshje. Marrëveshja është fjalë e bukur. Meqë asnjë nga ne të katër nuk e pamë mundësinë e marrëveshjes, atëherë u ndamë”.

Kosova dhe Serbia në takimin e së martës në Bruksel u pajtuan për Deklaratën për Personat e Zhdukur. Ndërkohë, diskutuan për Asociacionin dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në veri para pak ditësh.

Related posts

Pas tërmetit me mijëra viktima, Maroku ‘shkundet’ nga një tjetër lëkundje e fortë

admin

400 kilogramë kokainë në Lipjan, ngritet aktakuzë ndaj shtatë personave

admin

Shpyllëzimi i Amazonës bie për pothuajse 34 për qind

admin