RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rritet në 551 numri i të vdekurve nga përleshjet në Sudan, mijëra të tjerë të plagosur

rritet-ne-551-numri-i-te-vdekurve-nga-perleshjet-ne-sudan,-mijera-te-tjere-te-plagosur

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se numri i personave që kanë humbur jetën në konfliktin e vazhdueshëm në Sudan ka shkuar në 551, transmeton Anadolu.

Është mbajtur konferenca javore për shtyp nën moderimin e zëdhënëses së Zyrës së OKB-së në Gjenevë, Alessandra Vellucci, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit në lidhje me përleshjet e vazhdueshme që nga 15 prilli mes ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Sudan.

Zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris, theksoi se numri i njerëzve që humbën jetën në konfliktet e vazhdueshme në Sudan u rrit në 551 dhe se janë plagosur mijëra persona.

Duke thënë se gjatë konfliktit ka pasur gjithsej 28 sulme kundër objekteve shëndetësore, Harris tha se në këto sulme janë vrarë tetë persona dhe janë plagosur 18 persona.

Harris njoftoi se 16 për qind e qendrave shëndetësore në vend janë në gjendje të ofrojnë shërbime dhe 6 për qind e qendrave shëndetësore në kryeqytetin Khartoum janë funksionale.

Duke deklaruar se situata në Sudan është përkeqësuar sa u përket shërbimeve shëndetësore, Harris tha: “Ku do të shkojnë njerëzit për mjekim kur të lëndohen? 25 për qind e këtyre njerëzve vdesin sepse nuk mund të ndalet gjakderdhja e tyre. Kjo është një ndërhyrje shumë e thjeshtë e ndihmës së parë që mund të bëhet. Vdekjet në këtë mënyrë janë të papranueshme”.

Zëdhënësi i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), James Elder, tha se që nga fillimi i konfliktit, vdekjet e fëmijëve në Sudan kanë arritur nivele alarmante.

Duke thënë se 190 fëmijë u vranë dhe 1.700 u plagosën më 15-25 prill, Elder tha: “Raportohet se shtatë fëmijë u vranë ose u plagosën mesatarisht në orë në 11 ditët e para të konfliktit në Sudan”.

Përleshja mes ushtrisë dhe RSF-së në Sudan

Mosmarrëveshjet e muajve të fundit u përshkallëzuan midis ushtrisë dhe forcave paraushtarake rreth integrimit të RSF-së në forcat e armatosura, që është kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, që u cilësua nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.

Ministria e Punëve të Jashtme të Sudanit njoftoi se gjenerali Abdulfettah al-Burhan, Kryetar i Këshillit të Sovranitetit dhe Komandanti i Ushtrisë, vendosi të shpërbëjë RSF-në, e cila u përplas me ushtrinë, dhe ta shpallë atë “forcë rebele kundër shtetit”.

Related posts

Nderoi terroristët e vrarë në Banjskë, përjashtohet nga policia Sinisha Vasiq

admin

Kjo është gjendja në fshatin Kuk të Dragashit, pas vërshimeve nga reshjet e shiut

RTI

Protestë në Beograd kundër propozimit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

rezart morina