Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe, e kanë miratuar vendimin për rikthim të Sirisë në këtë trup, pas më shumë se një dekade të pezullimit.
Sipas një zëdhënësi të Ligës, ky vendim tregon përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Në vendim është thënë se Siria do të mund të marrë pjesë në takime menjëherë, dhe në të është përmendur edhe nevoja e dhënies fund të luftës civile në këtë shtet.
Vendimi është marrë në një takim me dyer të mbyllura në Kajro.
Ndonëse disa shtete arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë bërë thirrje për normalizim të lidhjeve me Assadin, të tjerë, përfshirë Katarin, refuzojnë normalizim të plotë, pa një zgjidhje politike të konfliktit sirian.
Disa kanë kërkuar edhe vendosjen e kushteve për kthim të Sirisë në Ligë, siç është rasti i Jordanisë.
Në vendimin e së dielës është përmendur që Jordania, Arabia Saudite, Iraku, Libani dhe Egjipti, do të krijojnë një grup kontakti, për të ndërmjetësuar komunikimin me Qeverinë siriane, dhe që të gjendet zgjidhje për krizën.
Anëtarësimi i Sirisë në Ligën Arabe është pezulluar më 2011, pas shtypjes së protestave në rrugë, kundër Assadit.
Për pasojë, shteti është përfshirë në luftë civile dhe janë shkatërruar pjesë të mëdha të territorit. /rel