RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Skadon afati për komente në 4 dokumentet e Lajçakut

skadon-afati-per-komente-ne-4-dokumentet-e-lajcakut

Komentet rreth katër dokumenteve të emisarit Miroslav Lajçak, për atë se si Qeveria e Kosovës e sheh zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, është dashur që të dërgohen më së largu sot. Në zyrën e kryeministrit Albin Kurti nuk treguan nëse ato i janë përcjellë BE-së. Por, në Qeveri kanë përjashtuar mundësinë e krijimit të një metodologjie të veçantë për zbatimin e nenit 7, që i referohet “vetëmenaxhimit të serbëve”.

Të premten ka qenë afati i fundit kur qeveria do të duhej t’ia dërgonte Bashkimit Evropian (BE) komentet lidhur me dokumentet që kishte prezantuar emisari Miroslav Lajçak në Prishtinë, në funksion të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.

Gjatë takimit të fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, emisari Lajçak ka prezantuar katër dokumente: Një për sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike, një për draftin e Termeve të Referencës së Komitetit Monitorues të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes Bazike, atë për Komitetin Monitorues për zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit me dhunë dhe një metodologji të zbatimit të nenit 7 të marrëveshjes që i referohet “vetëmenaxhimit të serbëve”.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar të premten nëse këtë ditë, që ishte edhe afat i fundit, i kanë dërguar komentet dhe rrugën e propozuar për zbatimin e marrëveshjes.

Por të enjten, në zyrën e kryeministrit Albin Kurti e përjashtuan mundësinë e krijimit të një metodologjie për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes së Brukselit, ashtu siç ka propozuar emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se nuk mund të ndërtohet një metodologji për zbatimin e pikës që flet për “vetëmenaxhimin e serbëve”, pa pasur një plan të dakorduar për zbatimin në tërësi të marrëveshjes së Brukselit.

“Qëndrimi ynë ka qenë se nuk mund të ndërtojmë metodologji për zbatimin e një prej pikave të Marrëveshjes, pa pasur një plan të dakorduar për zbatimin e plotë dhe në tërësi të Marrëveshjes, sikurse edhe parasheh Aneksi i Zbatimit i dakorduar në Ohër. Për këtë arsye, kjo metodologji e propozuar nuk është diskutuar fare në takimin e të hënës”, ka deklaruar zëdhënësi Kryeziu.

Megjithëkëtë, qeveria nuk ka hequr dorë nga draft-vizioni për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e prezantoi kryeministri Kurti pas takimit të fundit në Bruksel, e i cili mbështetet në modelin kroat.

Paraprakisht, Kurti e përjashtoi mundësinë që udhërrëfyes për themelimin e Asociacionit të jetë drafti i propozuar nga ekipi menaxhues, i cili, sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Pavarësisht qëndrimit të Kurtit, emisari Lajçak dhe shefi i BE-së për politike të jashtme, Joseph Borrell e kanë konsideruar pikënisje të mirë për diskutime të mëtejme draftin e ekipit menaxhues, në përbërje të të cilit kanë qenë të gjithë serbë. Madje BE-ja e kishte kritikuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e këtij ekipi, një ditë pas prezantimit të draftit.

Lidhur me këto dokumente ka folur edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, i cili ka deklaruar se Serbia dhe BE-ja kanë paraqitur propozime konkrete për Asociacionin dhe të zhdukurit, teksa ka akuzuar Bislimin se është ai që po kërkon afate shtesë për dërgimin e tyre.

Në zyrën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi nuk kanë komentuar lidhur me dokumentet e propozuara.

Related posts

‘Bloomberg’ kërkon falje për publikimin e parakohshëm të lajmit mbi shkëmbimin e të burgosurve

admin

Dy bankat më të mëdha të Rusisë gati të hapin degë në rajonet e aneksuara në Ukrainë

admin

Myftiu Tërnava priti në takim lamtumirës ambasadorin e Turqisë, z.Cagri Sakar

admin