Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u shpreh i gatshëm të fillojë procedurën parlamentare për ndryshimet kushtetuese, menjëherë pasi Qeveria të parashtrojë iniciativën në Kuvend, raporton Anadolu.
Sipas kornizës së miratuar negociuese, Maqedonia e Veriut duhet të miratojë amendamente kushtetuese për integrim në Bashkimin Evropian (BE), sipas së cilave në Kushtetutën e vendit duhet të përfshihen edhe disa pakica kombëtare, në mesin e të cilave edhe pakica bullgare.
Me miratimin e kornizës negociuese në korrik të vitit të kaluar, për Maqedoninë e Veriut u hap dera për anëtarësim të plotë në BE, pasi paraprakisht kjo u pamundësua nga Bullgaria, vend anëtar i BE-së.
Grupi punues në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë javën e kaluar miratoi propozim-iniciativën për nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë, ndërsa propozimi iu dorëzua Qeverisë, e cila do të duhet ta përcjellë iniciativën në Kuvend.
Grupi punues përbëhej nga më shumë se 20 ekspertë juridikë, ku ishin të ftuar të marrin pjesë të gjitha partitë politike.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sqaroi tha se iniciativa për ndryshimet kushtetuese duhet të kalojë të gjitha procedurat dhe afatet e parapara në Kuvend. Në takim me gazetarët, ai u shpreh se do të nevojiten disa muaj për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare, duke shtuar se kjo varet edhe nga kohëzgjatja e diskutimeve rreth amendamenteve.
Duke rikujtuar procedurën paraprake kur vendi ndryshoi emrin pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, pas çka u mundësua anëtarësimi në NATO, Xhaferi tha se atëherë u deshën rreth 4 muaj e gjysmë. Sipas tij, kjo ishte një kohëzgjatje “optimale”, duke pasur parasysh se nuk kishte diskutime sa u përket amendamenteve.
Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojiten 2/3 e votave, respektivisht 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, pasi ndryshimet prekin pakicat kombëtare, do të nevojitet edhe votim i dyfishtë sipas parimit të Badenterit.
Pushteti nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme pasi opozita parlamentare ka shprehur kundërshtimin e saj, duke thënë se nuk do të votojnë ndryshime kushtetuese në këtë përbërje parlamentare.