RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Blinken: S’ka armëpushim në Ukrainë pa tërheqje të Rusisë

blinken:-s’ka-armepushim-ne-ukraine-pa-terheqje-te-rusise

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk mund të ketë armëpushim në Ukrainë nëse nuk arrihet një marrëveshje “e drejtë dhe e qëndrueshme” për paqe.

Blinken shtoi se në këtë marrëveshje duhet të përfshihet edhe tërheqja ushtarake e Rusisë nga Ukraina.

Blinken theksoi se “një armëpushim që vetëm i ngrin në vend linjat aktuale” dhe ia lejon presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, “të konsolidojë kontrollin mbi territorin që ka kapur, të pushojë, të riarmatoset dhe të sulmojë sërish… kjo nuk është një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Rusia duhet të paguajë edhe dëmshpërblim për një pjesë të rindërtimit të Ukrainës dhe të mbahet përgjegjëse për fillimin e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, tha Blinken në fjalimin e tij, më 2 qershor, gjatë një vizite në Finlandë.

Siç theksoi ai, çfarëdo plani që do t’ia lejonte Rusisë ta mbajë një të pestën e territorit të pushtuar të Ukrainës, do të dërgonte mesazhin e gabuar te Rusia dhe te “agresorët e tjerë të mundshëm në mbarë botën.

Ndërkohë, Rusia dëshiron që në negociatat eventuale për paqe, të shqyrtohet edhe çështja e kërkesës së Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka kërkuar anëtarësimin e Ukrainës në këtë aleancë ushtarake, të cilën Kremlini e sheh si kërcënim.

“Natyrisht, kjo [çështje] do të jetë një nga problemet e mundshme për shumë e shumë vite në vijim”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 2 qershor.

Blinken tha se Uashingtoni është i gatshëm t’i mbështesë përpjekjet për paqe të vendeve të tjera, përfshirë tentimet e fundit nga Kina dhe Brazili. Por, ai theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të mbështesë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër aleatet kryesore të Ukrainës dhe furnizuesit e saj më të mëdhenj të ndihmave ushtarake për ta ndihmuar atë në luftën kundër Rusisë.

Kina, e cila thotë se është neutrale dhe dëshiron të shërbejë si ndërmjetëse, por ka mbështetur politikisht Moskën, më 2 qershor i kërkoi Perëndimit ta ndalojë dërgimin e armëve për Ukrainën.

Në Ukrainë, më 2 qershor, mbrojtja ajrore rrëzoi më shumë se 30 raketa ruse dhe dronë, gjatë sulmit të gjashtë ajror të Moskës ndaj Kievit në gjashtë ditët e fundit, thanë zyrtarët lokalë. /rel

Related posts

Presidenti Erdoğan: Turqia është e “domosdoshme” për Evropën – VIDEO

admin

A po kërkon Rusia ta destabilizojë Kosovën përmes Serbisë?

RTI

“Po zgjat luftën në Ukrainë!”- Sekretari amerikan i Shtetit: Mbështetja e Kinës për industrinë ruse të mbrojtjes duhet të marrë fund

admin