RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Qeveria kolumbiane dhe grupi rebel ELN arrijnë armëpushim gjashtëmujor

qeveria-kolumbiane-dhe-grupi-rebel-eln-arrijne-armepushim-gjashtemujor

Qeveria kolumbiane dhe forcat guerile të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN) nënshkruan një armëpushim kombëtar dhe dypalësh që do të zgjasë gjashtë muaj, transmeton Anadolu.

Armëpushimi parashikon një fazë të parë gatishmërie deri më 6 korrik dhe do të hyjë në fuqi zyrtarisht duke filluar nga 3 gushti.

Në prani të presidentit kolumbian Gustavo Petro, komandantit të parë të ELN-së Antonio Garcia dhe delegacioneve të qeverisë kolumbiane dhe ELN-së, raundi i tretë i negociatave kulmoi në Kubë.

Qeveria e Kubës dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres uruan të dyja palët. Guterres u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të organizatës për procesin e paqes.

“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përgëzon fuqishëm vendimin e shpallur sot nga Qeveria e Kolumbisë dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN) për të rifilluar bisedimet e paqes”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, duke shtuar:

“Këto janë hapa të rëndësishëm përpara që i dërgojnë shpresë popullit kolumbian, veçanërisht komuniteteve që janë më të prekura nga konflikti”.

Lajmi vjen pasi procesi i paqes pësoi pengesa të ndryshme.

Më 31 dhjetor, Petro njoftoi një armëpushim gjashtë mujor me ELN-në dhe grupe të tjera të armatosura. Tre ditë më vonë, grupi gueril mohoi se kishte ndonjë marrëveshje.

Që nga fillimi i negociatave vitin e kaluar, ELN ka kryer disa krime, duke përfshirë vrasjen e anëtarëve të ushtrisë dhe të një grupi fëmijësh indigjenë që po arratiseshin në mënyrë që të mos rekrutoheshin nga grupi. Qeveria është kritikuar se është shumë e butë ndaj grupit terrorist.

Të mërkurën e kaluar, presidenti kolumbian njoftoi praninë e tij për herë të parë në tryezën e dialogut në Kubë dhe konfirmoi se do të nënshkruante marrëveshjen.

ELN dhe qeveria kolumbiane kanë përfunduar tre raunde bisedimesh që nga janari i këtij viti, në Caracas, Mexico City dhe në Havana, të cilat filluan më 2 maj.

Related posts

Qeveria britanike prezanton masa të reja për emigracionin e paligjshëm, ministrja e brendshme: Do të deportoj më shumë emigrantë

admin

OKB i ofron Moskës lehtësim të sanksioneve në këmbim të rinovimit të marrëveshjes së grurit

Muhamet Ramadani

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më 21 maj, u mbajt ceremonia e hapjes së stërvitjeve ushtarake të ushtrisë amerikane dhe NATO-s në Evropë, “Defender Europe 2023” [Mbrojtësi i Evropës 2023]. Nga sot e deri më 2 qershor, Kosova do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe”, që do të mbahet në Babaj të Bokës të Gjakovës. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier dhe figura të tjera publike. Duke ju drejtuar ushtarëve të FSK-së, Osmani tha se ata janë “gardianë të paqes dhe sigurisë, në një botë gjithnjë e më komplekse dhe në zhvillime gjithnjë e më sfiduese”. “Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë që forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që i kultivojmë”, tha ajo. Ndërsa, Kurti tha se kjo është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. “Mbi 1.300 ushtarakë të FSK-së do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake, në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partneret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai. Ministri Mehaj tha se Kosova do të jetë vendi i katërt – me më së shumti ushtarakë që do të marrin pjesë në këtë stërvitje – në mesin e 25 vendeve pjesmarrëse. Ambasadori Hovenier tha se derisa agresioni rus i Ukrainës po vazhdon, është veçanërisht e rëndësishme të vihet në pah një ushtrim si “Defender Europe 2023”. “Një ndër qëllimet e kësaj stërvitje është që të tregohet aftësia e forcave ushtarake të SHBA-së për të zbatuar shpejt trupat dhe pajisjet e gatshme për luftë, për të siguruar aleatët, për parandaluar ata që mund të kërcënojnë paqen në Evropë dhe për ta mbrojtur këtë kontinent nga agresioni”, tha ambasadori amerikan. Sipas tij, stërvitjet kanë edhe një qëllim tjetër “që të shfaqë përkushtimin e aleatëve dhe partnerëve tanë evropian për të përmirësuar shkallën, kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë e ushtrive të tyre”. Ai tha se 9 mijë ushtarakë amerikanë do të marrin pjesë në stërvitjen “Defender Europe 2023”. Pas fjalëve hyrëse, u bë prezantimi statik i pajisjeve të FSK-së. Qytetarëve të Kosovës, të dielën, u është bërë e mundshme t’i shohin nga afër një pjesë të njësive, pajisjeve dhe automjeteve të ushtrisë. Në vitin 2021, Shqipëria ka qenë nikoqire e këtyre stërvitjeve ushtarake. Stërvitjet e koduara si “Defender Europe” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja. Natyra e tyre është mbrojtëse dhe përqendrohet në parandalimin e agresionit.

admin