Turqia dënoi të hënën autoritetet izraelite për përshpejtimin e aktiviteteve për vendosjen e vendbanimeve të paligjshme dhe planifikimin e ndërtimit të vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor.
“Ne dënojmë autoritetet izraelite për rritjen e aktiviteteve të tyre në vendosjen e vendbanimeve të paligjshme dhe planet për të ndërtuar 4.500 njësi vendbanimi të reja ilegale në të paktën 19 qytete në Bregun Perëndimor”, tha Ministria e Jashtme në një komunikatë me shkrim.
Ankaraja i quajti aktivitetet e vendbanimeve të paligjshme të Izraelit si “të papranueshme”, pasi ato “shkaktojnë dëm serioz ndaj perspektivës së një paqeje të qëndrueshme dhe shkelin ligjin ndërkombëtar”.
Turqia “do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete në bazë të kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, duke siguruar krijimin e një Palestine të pavarur dhe sovrane me integritet territorial”, shtohet në deklaratë.
Deklarata e Turqisë erdhi pasi qeveria izraelite të dielën shpalli tenderë të rinj për të ndërtuar rreth 4.500 njësi vendbanimesh në Bregun Perëndimor.
OKB-ja e konsideron aktivitetin e vendbanimeve izraelite si të paligjshëm dhe thotë se ajo po minon zgjidhjen e dakorduar ndërkombëtarisht me dy shtete.
Vlerësimet tregojnë se rreth 700.000 kolonë jetojnë në 164 vendbanime dhe 116 poste në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.