Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga ana e njësiteve të Serbisë.
I pari i ekzekutivit përmes një postimi në Facebook ka thënë se në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku.
“Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët”, ka shkruar Kurti.
Ai ka dhënë detaje për vendin ku kanë qëndruar policët kur janë kapur befas nga 15 policë të Serbisë duke postuar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes.
“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”.
Kryeministri thotë se ne jemi në të drejtën tonë, dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe të pacenuar”, ka shkruar Kurti.
Tutje i pari i Qeverisë ka kërkuar reagim nga bashkësia ndërkombëtare për ngjarjen.
“Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999”.
“Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës”, ka kujtuar tutje Kurti./