RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA shpreh mbështetjen e vazhdueshme për anëtarësimin e Turqisë në BE

shba-shpreh-mbeshtetjen-e-vazhdueshme-per-anetaresimin-e-turqise-ne-be

SHBA-ja ka ripohuar mbështetjen e vazhdueshme për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), por ka përsëritur se çështje është një çështje dypalëshe midis Ankarasë dhe bllokut evropian, raporton Anadolu.

“SHBA-ja ka mbështetur gjithmonë aspiratat e Turqisë për anëtarësim në BE dhe vazhdon ta bëjë këtë. Aplikimi dhe procesi i anëtarësimit të Turqisë është një çështje midis BE-së dhe Turqisë. Fokusi ynë është te Suedia, e cila është gati të bashkohet me aleancën e NATO-s”, tha në kushte anonimiteti një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Anadolu.

Sot, më herët, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e lidhi mbështetjen e Ankarasë për anëtarësimin e Suedisë në NATO me përpjekjet e ngecura të Ankarasë për t’u bashkuar me BE-në.

“Pothuajse të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë tani anëtar të BE-së. Unë po u bëj thirrje këtyre vendeve që e kanë mbajtur Turqinë në pritje në derën e BE-së për më shumë se 50 vjet, por do t’i bëj thirrje edhe Vilniusit”, tha Erdoğan, duke iu referuar samitit të ardhshëm të liderëve të NATO-s në kryeqytetin lituanez.

“Së pari, le t’i hapim rrugën Turqisë në BE dhe më pas do t’i hapim rrugën Suedisë ashtu siç bëmë për Finlandën”, theksoi Erdoğan në një konferencë për media në Istanbul përpara se të niset për në Vilnius për të marrë pjesë në samit.

Erdoğan tha se do t’i shprehë këto pikëpamje dhe do t’i bëjë kërkesat gjatë takimeve me liderët në margjinat e samitit.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022.

Megjithëse Turqia miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia t’i përmbushë angazhimet e saj sipas marrëveshjes.

Më parë, presidenti Erdoğan deklaroi se Suedia nuk mund të shpresojë të anëtarësohet në NATO për sa kohë që u jep strehë dhe dritë jeshile terroristëve dhe mbështetësve të terroristëve.

Për t’u bashkuar me NATO-n, Suedia ka nevojë për miratimin e të gjithë anëtarëve të aleancës, përfshirë Turqinë, e cila ka qenë anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet dhe krenohet me ushtrinë e saj të dytë më të madhe në aleancë.

Related posts

Greqia përgatitet për “stërvitje të njëpasnjëshme” në rajon

admin

Miratohet projektligji për KPK-në dhe ai për KPM-në, shtyhet ai për Zyrtarët Publikë

RTI

Policia i gjen 150 bimë narkotike të mbjella në një zonë malore të Gjakovës

RTI