Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) ka paralajmëruar se situata përgjatë “vijës së kaltër” midis Libanit dhe Izraelit është “jashtëzakonisht e ndjeshme”, transmeton Anadolu.
Dje, sipas mediave libaneze, tre anëtarët të grupit Hezbollah u plagosën nga zjarri izraelit pranë fshatit kufitar Al-Bustan.
Nuk ka pasur asnjë koment nga grupi libanez për incidentin.
“Ne jemi në dijeni të raporteve shqetësuese për një incident përgjatë ‘vijës së kaltër’. Ne po e shqyrtojmë atë. Ndërkohë, situata është jashtëzakonisht e ndjeshme”, tha zëdhënësja e UNIFIL-it, Kandice Ardiel.
Dje, ushtria izraelite tha se “një numër i të dyshuarve” iu afruan gardhit verior të sigurisë me Libanin dhe u “përpoqën të sabotonin gardhin e sigurisë në zonë”.
Më tej, u theksua se ushtarët izraelitë “përdorën mjete për t’i larguar ata”.
Ushtria publikoi një video që tregonte katër persona që i afroheshin gardhit përpara se ata të iknin si pasojë e një shpërthimi që shihet në video.
Në vitin 2006, Izraeli dhe Hezbollahu zhvilluan një luftë 34-ditore ku u vranë mbi 1.200 libanezë, kryesisht civilë. Rreth 160 izraelitë, kryesisht ushtarë, gjithashtu u vranë në konflikt.