RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Turqia dhe EBA-ja nënshkruan 13 marrëveshje në vlerë 50,7 miliardë dollarë

turqia-dhe-eba-ja-nenshkruan-13-marreveshje-ne-vlere-50,7-miliarde-dollare

Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) nënshkruan sot gjithsej 13 marrëveshje me vlerë 50,7 miliardë dollarë, tha Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës turke, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Drejtoria tha se të dyja palët kanë arritur një marrëveshje për krijimin e një Këshilli Strategjik të Nivelit të Lartë, i cili do të kryesohet nga presidenti i Turqisë dhe ai i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Marrëdhëniet e Turqisë me Emiratet e Bashkuara Arabe janë ngritur në nivelin e partneritetit strategjik si rezultat i marrëveshjes, thuhet në deklaratë.

“Palët vendosën gjithashtu të avancojnë bashkëpunimin ekzistues në fusha të tilla si energjia, transporti, infrastruktura, logjistika, tregtia elektronike, financat, shëndetësia, ushqimi, turizmi, pasuritë e paluajtshme, ndërtimi, industria e mbrojtjes, inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e avancuara”, thuhet më tej.

“Vlera totale e marrëveshjeve të nënshkruara në këto fusha kap vlerën 50,7 miliardë dollarë”, tha Drejtoria e Komunikimeve.

Erdoğan: Marrëdhëniet Turqi-EBA do të trajtohen rregullisht në nivelin më të lartë

Turqia do të sigurojë që marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) të adresohen rregullisht në nivelin më të lartë përmes mekanizmit të Këshillit Strategjik të Nivelit të Lartë, tha sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

Komentet e tij erdhën teksa Erdoğan dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan drejtuan bisedimet në nivel delegacionesh në Pallatin Al-Watan në Abu Dhabi.

Duke shprehur kënaqësinë për zhvillimin e dialogut dhe bashkëpunimit të ngushtë në 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe, Erdoğan tha se Turqia synon të forcojë infrastrukturën ligjore me Emiratet e Bashkuara Arabe në fusha si promovimi i investimeve, siguria, energjia e rinovueshme dhe transporti.

“Me marrëveshjen e përbashkët që do të nënshkruajmë, ne do t’i ngremë marrëdhëniet tona në nivelin e partneritetit strategjik”, tha Erdoğan, duke shtuar: “Ne e shohim të dobishme që të organizojmë një Forum të Tregtisë dhe Investimeve në Istanbul në vjeshtë për t’ia prezantuar marrëveshjen botës sonë të biznesit”.

Erdoğan tha se bashkëpunimi mes dy vendeve do të avancojë më tej me Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) që do të mbahet në Istanbul në datat 25-28 korrik.

Ai shprehu kënaqësinë e tij që ishte ftuar si “mysafir nderi” në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Abu Dhabi.

Erdoğan i dhuron një makinë Togg presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan i dhuroi një makinë elektrike të prodhimit turk “Togg” presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Mohamed bin Zayed Al-Nahyan, raporton Anadolu.

Erdoğan u takua me Al-Nahyanin në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe Abu Dhabi, ndalesën e fundit të turneut të tij në tri vende të Gjirit.

Përpara bisedimeve, presidenti turk i dhuroi Al-Nahyanit një Togg të bardhë “Pamukkale”.

Erdoğan filloi turneun e tij në tri vende të Gjirit të hënën duke nisur me Arabinë Saudite, e ndjekur nga Katari. Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndalesa e tij e fundit.

Related posts

Osmani për peticionin për shkarkimin e kryetarëve në veri: E drejtë që u takon qytetarëve

admin

Akuzohet se ka paguar yllin e pornografisë për “t’i mbyllë gojën” gjatë fushatës presidenciale më 2016, Trump paraqitet në gjyqin e parë penal

admin

Ministri izraelit i ekstremit të djathtë kërcënon me largim nga qeveria nëse ndalet lufta kundër Gazës

admin