RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedKosovëLajmeLajmet

Opozita konteston ligjet e Qeverisë të miratuara në Kuvend

opozita-konteston-ligjet-e-qeverise-te-miratuara-ne-kuvend

Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimet dhe ligjet e miratuara nga Qeveria Kurti. Vetëm së fundi katër nga ligjet e votuara në Kuvend kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, aktualisht janë katër ligje të cilat janë në procedurë të shqyrtimit.

Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Veton Dula konfirmoi për Telegrafin se dy ligje janë dërguar nga LDK, ndërsa PDK e AAK kanë dërguar nga një ligj.

“1.Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Parashtrues: Dhjetë deputetë të Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 2 Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë. Parashtrues: njëmbëdhjetë deputetë të Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës.

Dhe vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë. Parashtrues: dhjetë deputetë të Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës. (Vërejtje: Kërkesat KO216/22 dhe KO220/22 janë bashkuar dhe trajtohen si të tilla nga Gjykata)”, tregoi ai.

Ndërkaq, PDK ka dërguar në Kushtetuese ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Parashtrues: Dhjetë deputetë të Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës”, njoftoi Dula.

Ligji i fundit i dërguar në Gjykatën Kushtetuese është ai për pagën minimale.

AAK këtë ligj e dërgoi në Kushtetuese para pak ditësh.

“Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit Nr.08/L-142 Për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore. Parashtrues: Dhjetë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës (8 deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe 2 deputetë të pavarur)”, theksoi ai.

Lidhur me dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese për Telegrafin ka folur edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Miftaraj ka konsideruar se inicimi i ligjeve në Gjykatë nuk mund të konsiderohet si diçka negative.

“Në anën tjetër, jo në pak raste, Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë respektuar Kushtetutën me rastin e miratimit të ligjeve”, u shpreh Miftaraj, duke shtuar se kjo legjislaturë është ndër legjislaturat që ka pasur qasjen më shpërfillëse në raport me Kushtetutën e vendit.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti, kishte thënë se dërgimi i ligjeve në Gjykatën Kushtetuese po pengon reformat në fushat e caktuara.

“Të tre këto ligje (Byroja) bashkë me çmimet tavan, janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita. Madje Ligji për KPK-në ka më shumë se gjashtë muaj në trajtim. Në historinë e shtetit të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar. Pavarësisht kësaj përkushtimi ynë mbetet po i njëjti, zelli më i madh, ecja jonë nuk do të ndalet. Sot po e bëjmë hapin e radhës me Strategjinë kundër Korrupsionit”, është shprehur Kurti.

Ndryshe, me Kushtetutën e Kosovës bëhet e ditur se “në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese duhet të nxjerrë vendim mbi kontestin jo më vonë se 60 ditë pas dorëzimit të kërkesës”.

Related posts

Moska: Londra dhe Uashingtoni të përfshirë në sulmin ndaj Krimesë

rezart morina

Palestinë: Këtu është një përmbledhje e zhvillimeve kryesore

admin

Australi, 10 të vdekur në një aksident autobusi – VIDEO

rezart morina