Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të presidentit të Nigerit, Mohamed Bazoum dhe familjes së tij, si dhe për mbrojtjen e “demokracisë së fituar me vështirësi”, transmeton Anadolu.
Biden lëshoi një mesazh me rastin e 63 vjetorit të pavarësisë së Nigerit. Sipas presidentit amerikan, demokracia e Nigerit ndodhet përballë një sfide serioze.
“Në këtë kohë kritike, SHBA-ja ndodhet pranë popullit të Nigerit për të nderuar partneritetit tonë dhjetëra vjeçar, i cili është ndërtuar mbi vlerat demokratike dhe mbështetjen tonë ndaj administratës civile”, tha Biden.
Bide theksoi të drejtën e popullit të Nigerit për të zgjedhur vetë liderët e tyre dhe ndër të tjera ai tha se populli shprehu vullnetin e tij në zgjedhje të lira dhe të drejta dhe se kjo duhet të respektohet.
“Bëj thirrje për lirimin e menjëhershëm të presidentit Bazoum dhe familjes së tij dhe për mbrojtjen e demokracisë së fituar me vështirësi të Nigerit”, tha Biden, i cili njoftoi se mbrojtja e vlerave themelore demokratike dhe e të drejtës për rend kushtetues, drejtësi dhe tubim paqësor janë thelbësore për partneritetin Niger-SHBA.
Në anën tjetë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se zv/këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jon Finer, dje ka realizuar një vizitë në Gabon dhe Nigeri. Finer diskutoi me presidentin e Nigerisë, Bola Ahmed Tinubu, mbi çështjet e sigurisë rajonale, përfshirë edhe zhvillimet e fundit në Niger.
– Grusht shteti në Niger
Në Niger, presidenti Mohamed Bazoum u arrestua nga elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale më 26 korrik dhe atë mbrëmje ushtria njoftoi marrjen e pushtetit.
Gjenerali Omar Tchiani, komandanti i Regjimentit të Gardës Presidenciale, më 28 korrik njoftoi marrjen e drejtimit të juntës së emërtuar Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP) dhe kalimin e tij në krye të qeverisë së përkohshme.
Bazoum që nga 26 korriku e deri më tani mbahet në banesën e tij personale.