RTV AHIRETI
ArtikujFeaturedLajmeLajmet

Zjarrvënësi i Ballkanit e ka emrin Aleksandar Vuçiq

zjarrvenesi-i-ballkanit-e-ka-emrin-aleksandar-vuciq

Revista gjermane “Der Spiegel” kritikon ashpër presidentin serb për tendencat autokratike në vendin e tij dhe rolin destruktiv në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë. Ndërsa Vuçiq minon paqen në rajon, Perëndimi po tregohet tepër tolerant. Ndaj propagandës së Vuçiqit po hesht sidomos Mirosllav Lajçak, shkruan revista nga Hamburgu.
Në paraqitjet e tij mediale Aleksandar Vuçiq lë përshtypjen sikur askush nuk po ia vlerëson angazhimin e tij për paqe e stabilitet në Ballkan. Por tani revista gjermane “Der Spiegel” në një shkrim të gjatë arrin në përfundimin se zjarrvënësi i Ballkanit e ka emrin: Aleksandar Vuçiq. Këtë e kupton kush merr vesh serbisht dhe kush e përcjell fushatën urrejtëse të kanaleve televizive të regjimit të Vuçiqit.

“Der Spiegel” citon aktivisten e të drejtave të njeriut Sonja Biserko, e cila thotë se gjatë mandatit të tij Vuçiq i ka shkatërruar institucionet shtetërore, ka bllokuar dialogun shoqëror, e ka bërë të parëndësishëm parlamentin dhe i ka diskredituar kritikët. Marrëdhëniet me Brukselin dhe Washingtonin, shkruan “Der Spiegel”, përmenden si të dëshirueshme, por ato me Pekinin dhe Moskën kultivohen. Beogradi nuk merr pjesë në sanksionet kundër Rusisë dhe kohëve të fundit është shtuar presioni ndaj opozitarëve rusë të ikur në Serbi. Sipas revistës gjermane para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar presionin kundër Serbisë. Të hënën u vendosën sanksione kundër 4 politikanëve të republikës serbe të Bosnjës, më parë u godit Aleksandar Vullini, shef i shërbimit sekret serb.

Ajo çfarë Vuçiq nuk mund apo nuk dëshiron ta thotë, e thotë Vullini. Ai përkrah konceptin e “botës serbe”, të inspiruar nga “bota ruse” e Vlladimir Putinit. Vullin thotë se mundësia e vetme që Ballkani të mbetet stabil është që serbët të jetojnë në një shtet, sepse, sipas tij, “të gjitha konfliktet në Ballkan fillojnë me diskriminimin e serbëve”.

Sipas “Der Spiegel” anketat në Serbi tregojnë se 45 për qind e të anketuarve e konsiderojnë Vlladimir Putinin politikanin më të mirë udhëheqës në botë. Pas tij – me distancë të konsiderueshme – vjen presidenti i Kinës. Vuçiqi e sheh veten se zëdhënës të të gjithë serbëve, përfshirë ata që jetojnë në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Kosovë. Aleate e Vuçiqit është Kisha Ortodokse Serbe. Sa herë që Vuçiq gjendet nën presion të brendshëm politik, ai i lëshon nga zinxhirët përkrahësit e tij të dhunshëm në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Në këtë poker Vuçiq e mban si kartë zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Der Spiegel” përshkruan edhe vizitën e patriarkut serb Porfirije në Graçanicë në përvjetorin e Betejës së Kosovës. Porfirije, i cili është mbështetës i Vuçiqit, thotë se angazhohet për paqe – atë paqe që Vuçiqi nga Beogradi e minon.

“Der Spiegel” kritikon edhe ndërmjetësin e BE-së Mirosllav Lajçak. Ndërsa Vuçiqi thoshte se populli serb në Kosovë i është nënshtruar “përndjekjes më të tmerrshme” në 15 vitet e fundit, Lajçak nuk e kundërshtoi, por lavdëroi “bisedën e sinqertë dhe të hapur” me presidentin serb.

“Der Spiegel” citon Hasan Hasanoviqin, të mbijetuar të masakrës në Srebrenicë, i cili thotë se nën drejtimin e Vuçiqit mohimi i gjenocidit është bërë institucional. “Ideologjia serbomadhe jeton, vetëm ia kanë ndryshuar emrin dhe tani e quajnë ‘Bota serbe’”. Një marrëveshje mbi bashkëpunimin arsimor mes Serbisë dhe republikës serbe të Bosnjës e bën të pamundur përmendjen e krimeve serbe në Srebrenicë. Në shënjestër të Beogradit është edhe Mali i Zi. Në anketat e fundit 32 për qind e popullsisë në Mal të Zi u deklarua si serbe. Në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë pritet një rezultat edhe më i lartë. Mediat e dirigjuara nga Serbia propagandojnë në këtë drejtim. Beogradi kalkulon kështu: sa më shumë serbë etnikë në statistikat e Malit të Zi, aq më e drejtë është të mbrohen ata dhe të bashkëvendoset mbi fatin e tyre. Këtë qasje strategjike Putini e ka përdorur në rastin e qytetarëve rusë në Gjeorgji, në Donbas dhe në Krime. Vuçiqi është duke shpërndarë pasaporta në Mal të Zi, universitetet serbe joshin me karriera akademike dhe propagandistët serbomëdhenj gëzojnë trajtim të veçantë pozitiv: kur njëri prej tyre u sëmur, Vuçiqi urdhëroi që ai të transportohet me avion dhe të trajtohet në territorin serb.

Related posts

Izraeli mbyll Xhaminë Ibrahimi për adhuruesit muslimanë për shkak të Pashkës hebraike

admin

Thyhet rekordi në Aeroportin e Prishtinës

admin

Arben Vitia riemërohet ministër i Shëndetësisë

admin