RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Hajdari: Nuk shoh asnjë arsye për dorëheqje

hajdari:-nuk-shoh-asnje-arsye-per-doreheqje

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media ka folur për ngjarjet e sotme në këtë ministri, ku dy zyrtarë të kësaj ministrie dhe një biznesmen janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Ajo ka thënë se zyrtarët e arrestuar janë të pafajshëm dhe nuk sheh asnjë arsye që ajo të japë dorëheqje.

Ministrja Hajdari ka thënë se ministria që ajo udhëheq mirëpret çdo hetim që ka të bëjë me blerjen e rezervave shtetërore.

Ajo ka thënë se shpreson që organet e hetimeve, krahas punës hetimore të mos cenojnë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore e klasifikuar sipas Ligjit për rezervën Shtetërore dhe Ligjit për mbrojtjen e informacionit shtetëror të klasifikuar.

“Provat e marra nga policia në MINT janë të klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa policia e njësisë hetuese nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete. Pra kërkesa e Policisë për pranim dorëzim të këtyre provave ka qenë ne kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, ka thënë Hajdari, transmeton Telegrafi.

Më tej, ministrja ka thënë se është e sigurt se i gjithë procesi i furnizimi me mallra për rezervat shtetërore ka qenë i rregullt.

“MINT i siguron të gjithë qytetarët se i gjithë procesi i furnizimit me mallra për rezervë n shtetërore është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe nuk dyshojmë në asnjë keqpërdorim nga zyrtarët tanë që janë ndaluar sot në polici”, ka thënë ajo.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pranuar se janë bërë pagesa në avans për furnizim me mallra në rezervat shtetërore.

Ajo ka thënë se në fillim të qershorit sivjet kjo ministri ka njoftuar Avokaturën Shtetërore për inicim të procedurës gjyqësore se 3 për qind e furnizimit total me rezerva shtetërore në vitin 2022 është vonuar.

E pyetur nëse do të japë dorëheqje pas skandalit me rezervat shtetërore, ministrja Hajdari ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye për këtë.

“Sa i përket dorëheqjes sime, unë s’e shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe them me përgjegjësi e siguri të plotë, nuk shoh asnjë arsye e as thjesht dyshim te zyrtarët që janë të ndalur sot”, ka thënë ajo.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar sot tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarit dyshohen për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) konfirmoi se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale – e cila e ka dhënë urdhrin për arrestime – tha se të arrestuarit janë Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi..

Të arrestuarve u është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.

Në njoftim është përmendur edhe bastisja e disa ambienteve dhe sekuestrimi i provave materiale.

MINT, ndërkaq tha se gjatë 18 gushtit janë kontrolluar zyrat e dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”, u tha në reagimin e MINT-it.

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, për siç thanë “skandalet dhe aferat korruptive” dhe kanë kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ndërsa, kreu i AAK-së ka kerkuar të thirret një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Related posts

Studim: Ndryshimet klimatike mund të rrisin temperaturat në Athinës për 3,5 gradë Celsius pas vitit 2040

admin

Clark: Serbia është dora e Rusisë, ka rrezik për konflikt në Ballkan

admin

Operacion blic në Prishtinë, sekuestrohen armë e municione, arrestohen disa persona

admin