Dhjetë persona humbën jetën të mërkurën në një aksident të një avioni privat në rajonin veriperëndimor Tver të Rusisë, transmeton Anadolu.
Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit ushtarak privat Wagner, ka qenë në mesin e pasagjerëve në aeroplan, ka thënë Agjenca Federale e Transportit Ajror.
“Agjencia Federale për Transportin Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya) nisi një hetim për rrëzimin e aeroplanit ‘Embraer’ që ndodhi në rajonin Tver, tha agjencia në deklaratën e saj, duke shtuar se emri Yevgeny Prigozhin ishte përfshirë në listën e pasagjerëve të avionit të rrëzuar”, raportoi agjencia e lajmeve TASS.
Agjencia më vonë njoftoi në Telegram se një komision i krijuar për rastin ka filluar një hetim dhe tha se kishte shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit në bordin e avionit që i përkiste kompanisë MNT-Aero LLC, për të cilin tha se po udhëtonte nga Moska në Shën Petersburg.
Ajo tha se komisioni ka nisur në vendngjarje mbledhjen e “materialeve faktike mbi trajnimin e ekuipazhit, gjendjen teknike të avionit, situatën meteorologjike në rrugën e fluturimit, punën e shërbimeve ajore dhe pajisjeve radio-tokësore”.
“Në këtë fazë të hetimit, specialistët do të duhet gjithashtu të kërkojnë për mjete kontrolli objektiv në bord për dekodimin dhe analizën e tyre të mëvonshme të regjistrave të kutisë së zezë”, thuhet më tej.
Komiteti Hetues i Rusisë deklaroi gjithashtu në Telegram se ka iniciuar çështje penale për shkak të “shkeljes së rregullave të sigurisë së trafikut dhe funksionimit të transportit ajror”.
Në një lajm të mëvonshëm nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA, e cila ka cituar një burim nga shërbimet e urgjencës, thuhet se tetë trupa janë gjetur në vendin e aksidentit.
Dmitry Utkin, bashkëthemelues i grupit paraushtarak Wagner, thuhet gjithashtu se ka qenë në mesin e pasagjerëve në aeroplan, sipas kanaleve pro Wagnerit në Telegram.
Prigozhin pushtoi ballinat e mediave në qershor kur nisi një “rebelim të armatosur” kundër udhëheqjes ruse, të cilit i dha fund shpejt.