RTV AHIRETI
Agjërimi

DISPOZITAT E FËMIJËS SË PORSALINDUR

dispozitat-e-femijes-se-porsalindur
  1. Dhuntitë dhe mirësitë e Allahut për robërit e Vet janë aq shumë, saqë numri i tyre nuk mund të përkufizohet dhe të numërohet. Në to bën pjesë edhe dhuntia e fëmijës. Fëmijët janë dhuntia, dhurata dhe mirësia e madhe e Allahut për robin e Vet. Kjo e mirë e Allahut e meriton falënderimin, përkujdesjen dhe ruajtjen nga robi i Tij. Fëmijët janë fryti i zemrës, themeli i shtëpisë, stolia e jetës së dynjasë, ashtu siç Allahu thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote…” (El-Kehf: 46)

Allahu në Kuran e përmend se nga lutjet e robërve të zgjedhur të Allahut është lutja: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

  1. Islami fëmijës ia përcaktoi dhe ia garantoi të drejtat e tij para se të ekzistonin marrëveshjet, shoqatat dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Edhe ndaj fëmijës tënd ke hak (të drejta që bien mbi ty).”[1]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Secili prej jush jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet… Burri është bari i familjes së tij dhe përgjegjës për të, gruaja është bareshë e shtëpisë së saj dhe përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe për fëmijët e saj.”[2]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu do ta pyesë çdo përgjegjës për kopenë që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, madje do të pyetet edhe njeriu për anëtarët e familjes së tij.”[3]

  1. Islami fëmijës ia siguron të drejtat para lindjes së tij: fillimisht me zgjedhjen e nënës së ndershme, pastaj përkujdesja për të gjatë periudhës së shtatzënisë, përkujdesja për të drejtën e tij që të jetojë duke e ndaluar abortimin e tij gjatë fazës së shtatzënisë, lehtësimi i çështjes së agjërimit për gruan shtatzënë, ndëshkimi i mbytësit të tij duke e detyruar ta shpaguajë gjakun e tij etj.

Pas lindjes: lumturia dhe gëzimi me daljen e tij në dynja, thirrja e ezanit në veshin e djathtë, pëlqehet t’i fërkohet lehtë qiellza e tij me hurmë, i jepet e drejta ta marrë mbiemrin e babait, zgjedhja e emrit të mirë për të, therja e akikës, qethja e flokëve të kokës së tij dhe dhënia lëmoshë në peshë të flokëve të tij, synetimi i tij, plotësimi i gjidhënies, përkujdesja për edukimin dhe rritjen e tij, shpenzimi për të, drejtësia në mes të tij dhe vëllezërve të tij, përkujdesja për shëndetin e tij trupor dhe mendor.

Po ashtu i garantohet e drejta e tij në trashëgimi, vasiet, dhuratë, vakëf etj.

  1. E drejta më e madhe e fëmijës që bie mbi të dy prindërit është edukimi dhe rritja e tij me virtyte të larta dhe me moral të lavdëruar sipas Kuranit dhe Sunetit të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Fëmija duhet të edukohet në fushën e imanit, ibadetit, moralit, psikikës, shëndetit, gjendjes shpirtërore dhe asaj shoqërore të tij. Kërkohet përkrahja e tij dhe të qenët e tij krah për në rrugën e qëndrueshmërisë në fe, që ta fitojë Xhenetin dhe të shpëtojë nga Xhehenemi, ashtu siç Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tehrim: 6); që do të thotë: urdhëroje familjen për të mirë dhe ndaloje nga e keqja, edukoje dhe mësoja Islamin, kështu i ruan nga zjarri i Xhehenemit.[4]
  2. Kur myslimanit i lind fëmijë, pëlqehet që sa më shpejt të përgëzohet dhe të urohet me lutje për mirësi.

Nuk transmetohet ndonjë urim i veçantë në sunetin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, andaj kush dëshiron që ta urojë vëllanë e tij për lindjen e fëmijës, lejohet që ta urojë me fjalë të zakonshme që njerëzit i përdorin dhe që nuk bien në kundërshtim me Islamin.

Hasan El-Basrij, Allahu e mëshiroftë, preferonte që urimi të jetë me këto fjalë: “Allahu të bekoftë në atë që të ka dhuruar, e falënderofsh Dhuruesin, e lus Allahun që fëmija të rritet dhe të jetë i sjellshëm me prindërit”, ose të thotë: “E lus Allahun që fëmija të jetë i bereqetshëm për ty dhe për umetin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të”, dhe lutje të ngjashme me këto.

Kurse atij që e shpreh uratën ia kthen me fjalët: “Allahu të bekoftë ty dhe pasardhësit e tu”, ose: “Allahu të shpërbleftë me të mira dhe ta dhuroftë edhe ty një fëmijë sikur ky”, dhe lutje të ngjashme me këto. Çështja është e gjerë dhe ka hapësirë në të për veprim.

  1. Pëlqehet thirrja e ezanit në veshin e djathtë të të porsalindurit menjëherë pas lindjes, që dëgjimin e tij sapo të dalë në dynja ta prekë emri i Allahut, lavdërimi dhe madhërimi i Tij, si dhe largimi i shejtanit prej tij.

Ebu Rafia, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që e ka parë Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke e thirrur ezanin në veshin e Hasanit, të birin e Aliut, pasi e lindi Fatimja, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[5]

  1. Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e di më së miri, urtësia e thirrjes së ezanit në veshin e të porsalindurit është që fëmija fjalët e para që do t’i dëgjojë të jenë fjalët e ezanit. Këto fjalë në vete e përmbajnë madhërimin dhe lavdërimin e Allahut, shehadetin (dëshminë e njësimit të Allahut) që shqiptimi i tij është i patjetërsueshëm për t’u bërë mysliman. Me një aspekt kjo është sikur t’i shqiptohen atij ritet e Islamit me ardhjen e tij në dynja, ashtu si i shqiptohet shehadeti (fjala la ilahe il-lallah) kur del nga kjo dynja. Gjurmët e fjalëve të ezanit nuk kanë pengesa që të arrijnë me shumë lehtësi prej te veshi deri në zemrën e fëmijës dhe të lënë gjurmë në të, edhe pse fëmija nuk është në dijeni për këtë. Po ashtu, me thirrjen e ezanit ikën shejtani nga fëmija. Shejtani qëndron në pritë të tij deri të lindë që pastaj ta shoqërojë për të keq, e kur shejtani i tij e dëgjon ezanin, e dobëson dhe e zemëron atë që nga momentet e para të shoqërimit të tij.

Thirrja e ezanit e ka edhe një kuptim tjetër që vijon; thirrja e ezanit në fakt është thirrja e fëmijës drejt Allahut, fesë islame dhe ibadetit të Allahut. Kjo thirrje duhet që t’ia kalojë dhe të jetë para thirrjes së shejtanit, njësoj sikur që natyra fillestare në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit ia kaloi ndryshimit dhe çrrënjosjes së saj nga shejtani. Po ashtu ka edhe urtësi të tjera.”[6]

  1. Thirrja e ikametit në veshin e majtë të të porsalindurit nuk është nga suneti, nuk ka hadith të vërtetë që e vërteton këtë.
  2. Pëlqehet që fëmijës së porsalindur, mashkull apo femër, t’i fërkohet qiellza me hurmë. Nëse nuk gjendet hurmë, mundet me çdo gjë të ëmbël.

Merret hurma shtypet ose mbllaçitet me buzë deri të zbutet dhe të përtypet më lehtë. Fëmijës i hapet goja dhe me hurmën e mbllaçitur i fërkohet lehtë qiellza që ta shijojë ëmbëlsinë e hurmës. Kjo është e shëndetshme për trupin e fëmijës dhe i forcon muskujt e gojës së tij.

Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Më lindi një djalë dhe e çova te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e emërtoi me emrin Ibrahim, ia fërkoi qiellzën me hurmë dhe e luti Allahun që atë ta bekojë.”[7]

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell që njerëzit vinin te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me fëmijët e tyre të porsalindur, ai i lutej Allahut për ta t’i bekojë dhe ua fërkonte qiellzën me hurmë.”[8]

  1. Pëlqehet për fëmijën e porsalindur të theret akika (kurban) në ditën e shtatë të lindjes së tij. Për foshnjën djalë pëlqehet të theren dy dele, ndërsa për foshnjën vajzë të theret një dele.

Nëse për djalë theret vetëm një dele, realizohet esenca e sunetit dhe mjafton.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për nipat e vet, Hasanin dhe Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, i theri nga dy desh.[9]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Për fëmijën djalë theren dy dele të barabarta dhe për fëmijën vajzë një dele.”[10]

  1. Akika quhet kafsha që theret për foshnjën e porsalindur pas lindjes së saj dhe është sunet i vërtetuar (sunet i fortë).

Fëmija është dhunti dhe mirësi e Allahut për prindin, prandaj kafsha theret në shenjë falënderimi për Allahun. Po ashtu kafsha theret si vepër që e afron fëmijën tek Allahu në momentet e para të daljes së tij në dynja, theret në shenjë flijimi për fëmijën, theret me shpresë që Allahu fëmijës t’i japë shëndet dhe ta ruajë nga çdo dëm, si dhe në shenjë bamirësie për të varfrit dhe nevojtarët.

  1. Nuk ka pengesë që i varfri të marrë borxh për akika, Allahu do ta pasurojë me mirësinë e Tij dhe do t’ia mundësojë ta kthejë borxhin.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nëse nuk ka pasuri që ta therë akikën, le të marrë borxh. Shpresoj që Allahu do t’ia mundësojë ta kthejë borxhin, sepse ai e ka ringjallur një sunet.”[11]

  1. Për akika kushtëzohet ajo që kushtëzohet për kurbanin: kafsha të jetë deve, lopë, dele apo dhi, me të gjitha llojet e saj, patjetër duhet ta arrijë moshën e përcaktuar sheriatikisht, të jetë pa të meta që e ndalojnë vlefshmërinë e kafshës për t’u bërë kurban.

Mosha e përcaktuar sheriatikisht:

Për devetë është ajo që i ka mbushur pesë vjet dhe ka hyrë për të gjashtën.

Për lopët është ajo që i ka mbushur dy vjet dhe ka hyrë për të tretën.

Për dhitë është ajo që i ka mbushur një vit dhe ka hyrë për të dytin.

Për delet është ajo që i ka gjashtë muaj dhe ka hyrë për të shtatin.

Nuk lejohet për kurban kafsha qorre, që është qorre e qartë, e verbër, sepse ajo është më keq se qorrja, e cila duket qartë që syrin e ka qorr, çalamania me çalim të qartë, e sëmura me sëmundje të qartë dhe e dobëta, e cila nuk ka fare dhjamë në të, ajo e cila njërën dorë apo këmbë e ka të prerë, sepse e meta e saj është më e rëndë sesa ajo që çalon dhe çalimi i saj është i qartë, dhe të ngjashme me to.

  1. Kafsha më e mirë për akika është delja, jo deveja ose lopa, sepse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për akika theri dele.

Madje disa dijetarë thonë që akika është vetëm me dele dhe jo me kafshë të tjera, por shumica e dijetarëve e lejojnë që përveç deles për akika të theret edhe deveja dhe lopa.

  1. Kafsha më e mirë për akika është ajo kafshë që është më e mira për kurban: më e shëndosha, që ka më shumë mish, më e plota, më e bukura në pamje dhe më e dashura për pronarin e saj. Mashkulli nga kafshët është më i mirë për therje, nëse është më i shëndoshë dhe me mish të mirë.
  2. Therja e kafshës për akika është më e mirë se dhënia e lëmoshës në vlerën e kafshës, edhe po qe se sasia e lëmoshës është më e madhe se vlera e kafshës, sepse qëllimi nga akika është therja e kafshës dhe derdhja e gjakut për Allahun. Allahu thotë: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (El-Enam: 162)
  3. Nga suneti është therja e akikës në ditën e shtatë të lindjes. Nëse e ther para ose pas ditës së shtatë, nuk është problem.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo fëmijë është peng i akikës së vet.[12] Në ditën e shtatë i theret akika, i qethen flokët dhe emërtohet.”[13]

  1. Dita e lindjes së tij përfshihet në shtatë ditët, përveç nëse lind natën, në këtë rast dita që vjen pas asaj nate llogaritet dita e parë.

Rregulli thotë që akika të theret në ditën e shtatë, që i bie të jetë dita para ditës së lindjes. Shembull: Nëse ka lindur në ditën e shtunë, akika theret në ditën e xhuma. Por, nëse ka lindur natën e shtunë (d.m.th. ditën e premte në mbrëmje), atëherë dita e premte nuk llogaritet dhe akika theret ditën e shtunë dhe jo ditën e premte.

  1. Akika nuk bie, nëse vonohet therja dhe nuk theret në ditën e shtatë. Nëse nuk e ther në ditën e shtatë, që ta arrijë qëllimin që synohet nga akika, mund ta therë kur të dojë pas saj. Pëlqehet që therja e akikës të mos vonohet deri në atë moshë, saqë fëmija e arrin moshën e pubertetit.
  2. Nuk pranohet therja e akikës para lindjes së fëmijës, sepse shkaku i akikës ende nuk ekziston. Prandaj, nuk i llogaritet akika, nëse e ther para se t’i lindë fëmija, mishi mbetet mish deleje i thjeshtë dhe jo akika.
  3. Nëse foshnja e porsalindur ndërron jetë para se t’i theret akika ose ndërron jetë në barkun e nënës pasi që t’i fryhet shpirti (d.m.th. pas muajit të katërt), ka nga dijetarët që thonë se për këtë fëmijë ligjërohet therja e akikës.

Nëse thuhet për akikën që është një lloj njoftimi që fëmija është në rregull, ndërsa tani ai më ka ndërruar jetë, kjo atëherë nënkupton që nuk duhet të theret për këtë fëmijë më akikë. Ky mendim i dijetarëve është më i përafërt me të vërtetën. Allahu e di më së miri.

  1. Assesi nuk lejohet pjesëmarrja në një akikë, patjetër duhet kokë për kokë, që do të thotë një akikë për një fëmijë. Ky është mendimi i medhhebit hanbelij.

Atij që i kanë lindur dy fëmijë dhe do që ta therë një lopë ose deve, akika e tij, deve ose lopë, është e vlefshme vetëm për njërin nga fëmijët dhe jo për të dytë. Këtu dallon akika nga therja e kurbanit për haxh dhe e kurbanit të përgjithshëm.

Urtësia e saj, siç e cek Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, është: “Pasi kafsha që theret për akika është flijim për të porsalindurin, ajo që ligjërohet në këtë rast është derdhja e gjakut të plotë, që të jetë flijim i një shpirti (një kafshës) për një shpirt (për një të porsalindur).

Po ashtu, po të lejohej pjesëmarrja në akika, nuk do të arrihej qëllimi nga akika, pra derdhja e gjakut për fëmijën. Derdhja e gjakut pranohet vetëm për njërin fëmijë, kështu që për të tjerët nuk mbetet tjetër përveç nxjerrjes së mishit për ta. Qëllimi pra, është derdhja e gjakut të kafshës për fëmijën.”[14]

  1. Kujt i lindin binjakë, nuk i mjafton një akikë, po duhet për çdonjërin të therë veç e veç. Të gjithë dijetarët janë unikë për këtë mesele.[15]
  2. Nuk lejohet therja e kafshës me nijetin e kurbanit dhe me nijetin e akikës. Prandaj kurbani nuk është i vlefshëm në vend të akikës, sepse çdonjëri prej tyre, edhe kurbani edhe akika, synohen veç e veç dhe dallojnë në mes vete në shkakun e therjes, andaj nuk mund të jetë i vlefshëm njëri në vend të tjetrit. Ky është mendimi i medhhebit malikij dhe shafij.
  3. Me mishin e akikës pëlqehet që të veprohet sikur që pëlqehet të veprohet me mishin e kurbanit; të hahet prej tij, t’u jepet lëmoshë të varfërve dhe nevojtarëve, t’u dhurohet fqinjëve, akrabave dhe shokëve.
  4. Më e mirë është që mishi i akikës të shpërndahet i zier (ose i pjekur) sesa i pazier (ose i papjekur). Kështu iu lehtësohet të tjerëve ngrënia e saj dhe shtohet bamirësia dhe falënderimi i dhuntisë.
  5. Mishi i akikës lejohet t’u shpërndahet të varfërve, fqinjëve, akrabave dhe shokëve, ose mund që t’i ftojë ata në shtëpi. Çështja është e gjerë për veprim, si do mund të veprohet.
  6. Atij që i shkojnë mysafirë në numër të madh dhe për akikën e djalit i ther më shumë se dy dele ose për akikën e vajzës më shumë se një dele, lejohet. Kjo është fetvaja e dijetarit Abdulaziz ibën Baz, Allahu e mëshiroftë.
  7. Lejohet që eshtrat e kafshës për akika të thyhen gjatë gatimit, nuk ka argument të saktë që e ndalon këtë. Kanë ardhur disa gjurmë nga të parët tanë që eshtrat e akikës nuk thyhen në shenjë optimizmi që të ruhen gjymtyrët e fëmijës. Kjo bie ndesh me adetin e njerëzve të cilët i thyejnë eshtrat gjatë gatimit dhe kjo është në dobi të tyre. Ata në këtë mënyrë plotësisht përfitojnë nga therja dhe ngrënia e kafshës. Nuk ka diçka që e ndalon thyerjen e tyre.
  8. Nëse prindërit nuk kanë therur akika për fëmijën kur ka qenë i vogël, i lejohet fëmijës kur të rritet që të therë akika për veten. Akika është sunet i vërtetuar (i fortë) dhe pasi që prindërit e tij nuk e kanë realizuar këtë sunet, nëse do, i lejohet atij ta therë akikën për veten. Janë hadithet e përgjithshme që e lejojnë një gjë të tillë dhe kjo është edhe fetvaja e dijetarit Abdulaziz ibën Baz, Allahu e mëshiroftë.[16]
  9. Pëlqehet që fëmija të emërtohet pas lindjes ose në ditën e shtatë. Më e mirë është që të mos vonohet emërtimi i fëmijës deri pas ditës së shtatë.

Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Mbrëmë më lindi një djalë dhe e emërtova Ibrahim, sipas emrit të babait tim, Ibrahimit, alejhi selam.”[17]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çdo fëmijë është peng i akikës së vet.[18] Në ditën e shtatë i theret akika, i qethen flokët dhe emërtohet.”[19]

  1. Emri është adresa e të emërtuarit, prandaj pëlqehet që fëmijës t’i jepet emër me fjalë dhe kuptim të mirë. Emërtimi me emër të mirë është edhe haku i fëmijës që bie mbi prindërit e tij.
  2. Pëlqehet emërtimi i fëmijës me këta emra:

– Emrat më të dashur tek Allahu janë: Abdullah dhe Abdurrahman.

– Emërtimi me disa nga emrat e bukur të Allahut duke ia shtuar përpara fjalën Abd (rob) si për shembull, Abdulaziz dhe Abdulmelik.

– Emërtimi me emrat e pejgamberëve dhe lajmëtarëve si: Muhamed dhe Ibrahim.

– Emërtimi me emrat e njerëzve të mirë dhe të devotshëm siç janë emrat e sahabëve dhe tabi’inëve.

Nuk i ka hije një shtëpie islame që fëmijët e tyre të mos e kenë ndonjë emër nga emrat e lartpërmendur që preferohen.

  1. Ndalohet emërtimi i fëmijëve, meshkuj apo femra, me emra që ndalohen fetarisht, si:

– Mbreti i mbretërve (Melikul Muluk), sunduesi i sunduesve (Sultan Es-Selatin) dhe me emra të ngjashëm me ta.

– Emrat që janë të posaçëm për Allahun, si: Er-Rahman, El-Kudus, Es-Samed.

– Emrat që aludojnë në adhurimin e dikujt tjetër jashtë Allahut si: Abdulkabe (rob i Qabes), Abduresul (rob i Pejgamberit).

– Emrat që janë të posaçëm për çifutët dhe të krishterët si: Xhirxhis, Butrus, Juhana, Shem’un, Kuhin.

  1. Duhet që t’i largohemi emërtimit të fëmijëve me këta emra:

– Emrat e tiranëve dhe të padrejtëve, si: Faraon, Karun.

– Emrat e shejtanëve, si: Hinzib.

– Emrat e këqij dhe të padëshiruar, si: Harb (Luftë), Mur’re (I ithët), Dhalim (Zullumqar), Asije (Mëkatare).[20]

  1. Lejohet që fëmija i vogël të marrë një epitet të caktuar, si: Ebu Filan (baba i filanit) ose Filane (baba i filanit ose filanes), ose Umu Filan ose Filane (nëna e filanit ose filanes). Kjo bëhet në shenjë nderimi dhe njoftimi për pozitën e tij, përveç asaj që te fëmija ngjall optimizëm që në të ardhmen, me lejen e Allahut, do të bëhet burrë dhe do të ketë pasardhës.
  2. Pëlqehet qethja e kokës së të porsalindurit djalë, jo vajzë, në ditën e shtatë, pasi të theret akika. Dhënia lëmoshë në peshë të flokëve të tij në vlerë të argjendit nuk është problem.

Në qethjen e flokëve të të porsalindurit ka dobi shëndetësore dhe largohen gjëra të dëmshme.

Përcillet që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e theri akikën për Hasanin tha: “Oj ti Fatime, e bija ime, qethja flokët djalit dhe jep lëmoshë në peshë të flokëve të tij në vlerë të argjendit.”[21]; por hadithi nuk është i vërtetë.

  1. Synetimi i fëmijës është nga sunetet e natyrshmërisë dhe nga ritet e Islamit. Synetimi i djemve është obligim.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Nga natyrshmëria janë pesë gjëra: Synetimi, rruajtja e pjesëve të turpshme, heqja e qimeve nën sqetulla, shkurtimi i thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve.”[22]

  1. Lejohet që vajzave t’u shpohet veshi dhe të vendosin vathë, sepse është në dobi të saj. Ajo ka nevojë për zbukurim.[23]
  2. Sheriati e lehtësoi çështjen e urinës së foshnjës mashkull i cili ende ushqehet vetëm me qumështin e nënës. Urina e tij është fëlliqësi e lehtë, mjafton spërkatja, d.m.th. të hidhet ujë mbi vendin e urinës dhe nuk detyrohet larja (ose fërkimi dhe shtrydhja) e vendit. Alij ibën Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për urinën e foshnjës mashkull që ende ushqehet vetëm me qumështin e nënës së vet ka thënë: “Urina e foshnjës mashkull që ende ushqehet me qumësht, spërkatet, ndërsa urina e foshnjës femër, duhet të lahet.” Katade, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kjo vlen, nëse ushqehen vetëm me qumështin e nënës dhe nuk ha ushqim tjetër a, nëse ushqehen edhe me ushqim tjetër përveç qumështit të nënës, atëherë lahet edhe urina e foshnjës mashkull.”[24]

41.Vjellja e foshnjës që ushqehet me gji:

Nëse është me ngjyrë, sikur ta nxjerrë qumështin dhe në të ka ngjyrë të verdhë, pasi që është ndryshuar materia dhe era e tij, e vjella llogaritet e papastër.

Nëse e vjella del nga goja e foshnjës dhe nuk i janë ndryshuar cilësitë e saj, si në rast kur foshnja sapo ka filluar të ushqehet me gji dhe nga ngopja e tepërt qumështi del nga goja (pa i ndryshuar cilësitë e veta), e vjella këtu është e pastër.[25]

  1. Pështyma dhe ligat e foshnjës janë të pastra dhe janë pastrues për gojën, nëse i bëhet pis nga vjellja. “Allahu e di që fëmija vjell shpesh dhe larja e gojës së tij është problematike, ndërsa pështyma dhe ligat i rrjedhin vazhdimisht në rrobat dhe trupin e atij që kujdeset dhe e bart foshnjën, prandaj nuk urdhëroi që rroba të lahet dhe nuk ndaloi nga falja e namazit me ato rroba dhe nuk urdhëroi që të ruhemi nga pështyma e foshnjës.”[26]
  2. Pëlqehet që për të porsalindurin dhe për të gjithë fëmijët në përgjithësi të kërkohet mbrojtje tek Allahu dhe t’u lexohet rukje, ashtu siç kërkonte mbrojtje Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për nipat e tij Hasanin dhe Husejnin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, duke e bërë këtë lutje: “Kërkoj mbrojtje për ty (me një transmetim tjetër: Kërkoj mbrojtje për ju të dy) me fjalët e Tij të përsosura, prej së keqes së çdo shejtani dhe çdo kafshe helmuese dhe prej së keqes së syrit të keq.”[27]

 

E lusim Allahun të na japë sukses për atë që Ai e do dhe Atë e kënaq dhe të na japë bereqet në pasardhësit tanë.

“O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

[1] Muslimi (1159).

[2] Buhariu (2409), Muslimi (1829).

[3] Nesaiu në El-Kubra (9174), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të vërtetë.

[4] Tefsir El-Bagavij (8/169).

[5] Ebu Davudi (5105), Tirmidhiu (1514), në zinxhirin e tij ka dobësi, Tirmidhiu dhe Hakimi e saktësuan, lejohet të punohet me hadithin sipas dijetarëve.

[6] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud (fq. 37).

[7] Buhariu (5467), Muslimi (2145).

[8] Buhariu (5467), Muslimi (286).

[9] Nesaiu (4219), shejh Albani e saktësoi.

[10] Ebu Davudi (2834), Tirmidhiu (1516), Nesaiu (4215), Ibën Maxhe (3162), shejh Albani e saktësoi.

[11] El-Mugni, Ibën Kudame (9/460), Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim (fq. 79).

[12] “Është peng i akikës së vet” nënkupton që akika është flijim, çlirim nga prangat e shejtanit dhe nga pengesat e tij që fëmija të punojë për dobitë e ahiretit të tij. Ose kuptimi tjetër: I porsalinduri është peng për të mirën që i synohet atij, derisa të theret akika për të, dhe kjo nuk do të thotë që ai do të ndëshkohet në ahiret. (sh.p.)

[13] Ebu Davudi (2834), Tirmidhiu (1522), Nesaiu (4220), Ibën Maxhe (3165), shejh Albani e saktësoi.

[14] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 118).

[15] El-Istidhkar, Ibën Abdulber (5/317), Et-Temhid (4/313).

[16] Mexhmua Fetava Ibën Baz, (26/266).

[17] Muslimi (2315).

[18] Kuptimi i hadithit është qartësuar te fusnota numër 12. (sh.p.)

[19] Ebu Davudi (2837), Tirmidhiu (1522), Nesaiu (4220), Ibën Maxhe (3165), shejh Albani e saktësoi.

[20] Ka dallim mes këtij emri dhe emrit Asija   آسيةedhe pse në gjuhën shqipe shqiptohen njëjtë, por kuptimi mes tyre dallon, si dhe dallon dispozita, sepse emri i parë ndalohet, kurse i dyti lejohet. (sh.p.)

[21] Tirmidhiu (1519) dhe e vlerësoi hadithin të dobët, kurse shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[22] Buhariu (5889), Muslimi (258).

[23] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 308).

[24] Ebu Davudi (377), Tirmidhiu (610), Ibën Maxhe (525), shejh Albani e saktësoi.

[25] Ka nga dijetarët që të vjellën e konsiderojnë të pastër në përgjithësi, ndër ta: imam Sheukani, shejh Albani, shejh Uthejmini, e të tjerë. https://islamqa.info/ar/answers/221751/ (sh.p.)

[26] Tuhfetul Meudud bi Ehkam El-Meulud, Ibën El-Kajim  (fq. 321).

[27] Buhariu (3371), Ebu Davudi (4737).

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”




Related posts

TËRMETET – DISPOZITA DHE RREGULLA

rezart morina

VEPRA E MIRË

rezart morina

ZILIA DHE DËMI I SAJ

admin