Rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar nga Policia e Kosovës.
Më 24 shtator, në këtë fshat Policia është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë ka mbetur i vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të mërkurën se ky fshat do të vazhdojë të jetë i bllokuar deri në orët e pasdites, kur autoritetet pritet të marrin një vendim.
Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, në pasditen e së martës.
Grupi, që fillimisht sulmoi Policinë e cila që po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në manastirin e Banjskës prej ku vazhdoi sulmet ndaj Policisë.
Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, autoritetet e rendit bënë të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.
Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.
Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, se ka udhëhequr grupin prej 30 personash që sulmuan Policinë. Për më tepër, këta zyrtarë kanë thënë se Radoiçiq ka marrë pjesë personalisht në sulm.
Këto akuza më 26 shtator, Sveçla i mbështeti në një video të incizuar me dron, që tha se dëshmon se Radoiçiq ishte i pranishëm në Banjskë.
Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.
Lidhur me sulmin në veri, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar tetë persona dhe ndaj tre prej tyre kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Sulmi i 24 shtatorit është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL