Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneral major Özkan Ulutaş, transmeton Anadolu.
Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së njoftoi se takimi, i cili u mbajt në kuadër të bashkëpunimit të FKS-së me KFOR-in, u mbajt në Ministrinë e Mbrojtjes në Prishtinë.
Gjeneral Jashari, duke e uruar gjeneralin Ulutaş për detyrën e Komandantit të KFOR-it, e informoi atë për planet, angazhimet aktuale të FSK-së dhe planet e zhvillimit në vijim.
Po ashtu, ata shkëmbyen diskutime edhe rreth zhvillimeve të sigurisë në vend dhe rajon.
“Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Ulutaş konfirmuan gatishmërinë për vazhdim dhe rritje të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të FSK-së dhe KFOR-it dhe u zotuan që kjo të jetë në funksion të sigurisë dhe paqes në vend”, bën të ditur njoftimi.
Në Kosovë, KFOR-i, i cili ka për mandat që të ofrojë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në vend, vazhdon misionin e tij me mbi 4 mijë trupa paqeruajtëse aktualisht, që nga viti 1999.