RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama: Sot Shqipëria është një vend krejt tjetër i cili çmohet botërisht si kurrë më parë për përparimet

rama:-sot-shqiperia-eshte-nje-vend-krejt-tjeter-i-cili-cmohet-boterisht-si-kurre-me-pare-per-perparimet

Në Tiranë është mbajtur kongresi i partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa diskutimet në disa panele kishin në fokus reformat në vend, si reformën në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, integrimin evropian, turizmin, arsimin, shëndetësinë dhe sektorë të tjerë, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij në kongresin e mbajtur në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Rama tha se gatishmëria e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në familjen evropiane, fuqia modernizuese e organizimit të shtetit shqiptar dhe rritja e kapitalit njerëzor, janë sot dhe jo për pak vite të tjera pazgjidhshmërisht të lidhura me PS-në.

Kryeministri Rama u shpreh se do shkojnë në Bruksel javën e ardhshme për mbledhjen e Këshillit Evropian me Ballkanin Perëndimor, me kokën lart dhe sipas tij me bindje në meritat e Shqipërisë për të gjitha rezultatet e nënvizuara qartë në raportin e progresit të Komisionit Evropian.

“Vetëm një shtet e ka lënë ende pezull opinionin e vet, jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë për hir të së vërtetës, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike në marrëdhëniet fqinjësore, Greqia”, tha Rama, duke iu referuar edhe qëndrimeve të Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë në lidhje me çështjen ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, që i përket minoritetit grek, Alfred Beleri, i cili akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe që ndodhet në paraburgim.

Ai theksoi se nuk do ta bëjnë Shqipërinë një vend të gatshëm për anëtarësim në BE, nëse ne nuk do të ketë një drejtësi evropiane dhe një mirëqeverisje evropiane.

“Sot Shqipëria është një vend krejt tjetër i cili çmohet botërisht si kurrë më parë për përparimet e dukshme që ka bërë, pret thuajse 10 milionë turistë brenda një viti si ky që po mbyllim, ka një monedhë kombëtare më të fortë se asnjëherë, ecën çdo ditë përpara në çdo drejtim dhe ulet në çdo tryezë të komunitetit ndërkombëtar dhe jo vetëm duke dhënë respekt siç ka bërë gjithmonë, por edhe duke marrë të njëjtin respekt nga të gjithë siç nuk ndodhte përpara se sa ne ta sillnim Shqipërinë në këtë formë dhe në këtë pozicion”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se lufta kundër korrupsionit dhe rritja e cilësisë së institucioneve demokratike kërkon një drejtësi që ndëshkon keqbërësit e veshur me pushtet, po kërkon sipas tij dhe modernizimin e shtetit përmes krijimit dhe aftësimit të vazhdueshëm të sistemeve të funksionimit të institucionit.

Ai tha se do t’i çojnë Parlamentit një projekt të ri për futjen e Inteligjencës Artificiale në prokurime dhe për ndryshimin e strukturës së prokurimeve.

Ndërkohë, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, gjatë punimeve të kongresit ka përcjellë një video-mesazh.

Pjesë e paneleve ishin ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Related posts

Presidenti Erdoğan nesër në Greqi për vizitë zyrtare

admin

Osmani: Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti janë të panegociueshme

rezart morina

A e tërhoqi njohjen Somalia?

admin