Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka deklaruar se “ka ardhur koha që evropianët të flasin qartë dhe me një zë” mbi sulmet brutale të Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Jo sepse bota po shikon ose sepse historia do të na gjykojë, por sepse qeniet njerëzore po vuajnë, fëmijët e vegjël po vuajnë dhe po humbin jetën e tyre”, tha Sanchez në parlamentin spanjoll, duke premtuar se “Madridi nuk do të qëndrojë duarkryq”.
Në një duartrokitje të madhe, Sanchez tha se politikanët spanjollë do të duhet të marrin përsipër detyrën e njohjes së shtetit të Palestinës gjatë këtij mandati, i cili filloi rreth një muaj më parë.
“Evropa duhet të kontribuojë në mënyrë aktive për të kërkuar zgjidhje përfundimtare të konfliktit dhe për të ofruar perspektivë serioze të paqes. Kjo nënkupton njohjen e një shteti palestinez që jeton në paqe dhe siguri përkrah shtetit izraelit”, tha Sanchez, duke iu referuar qëndrimit të tij se Bashkimi Evropian (BE) në tërësi duhet të njohë shtetin e Palestinës.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri spanjoll theksoi se “bombardimet duhet të ndalen menjëherë” dhe se ndihma humanitare duhet të jetë në gjendje të arrijë te “njerëzit që vuajnë nga të ftohtit, uria dhe dhimbja”. Duke dënuar sulmet e Hamasit dhe duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve, ai i bëri thirrje Evropës që t’i kërkojë Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar.
Megjithatë, disa politikanë gjatë seancës parlamentare thanë se fjalët dhe veprimet e kryeministrit Sanchez nuk shkojnë mjaft larg.
Ione Belarra, kryetare e Partisë Podemos, i bëri thirrje kryeministrit Sanchez të përdorë fjalën “gjenocid” kur i referohet sulmeve izraelite në Gaza. Duke folur për “mijëra njerëz që po shfarosen brutalisht nga shteti i Izraelit”, Belarra e quajti Izraelin “kërcënim për demokracinë në mbarë botën”.
Ajo bëri thirrje që qeveria të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike dhe tregtinë e armëve me Izraelin.
Kritikat e kryeministrit Sanchez ndaj Izraelit tashmë kanë provokuar Tel Avivin të tërheq ambasadorin nga Spanja, por deri më tani Spanja ka vendosur të mos e përshkallëzojë konfliktin dhe ka lënë ambasadorin e saj në Izrael.
Në seancën parlamentare, ende në vazhdim, Sanchez nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë thirrjeve të deputetes Belarra. Në vend të kësaj, zëdhënësi socialist, Patxi Lopez, mbrojti qëndrimin e Spanjës ndaj Izraelit.