Bisedimet indirekte midis Hamasit dhe Izraelit për një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës janë ende në vazhdim, por po përballen me “vështirë”, transmeton Anadolu.
Sipas kanalit egjiptian ‘Al Qahera News’, i cili citoi burime të një zyrtari egjiptian, “bisedimet janë ende në vazhdim për të arritur një armëpushim në Gaza para muajit të agjërimit të Ramazanit”.
Muaji i Ramazanit fillon javën e ardhshme.
“Ka vështirësi me të cilat përballen bisedimet, por ato ende janë në vazhdim”, tha burimi.
Sot më herët, një burim izraelit tha se Tel Avivi është ende duke pritur për një përgjigje nga Hamasi për një marrëveshje të propozuar për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh në Gaza.
“Nuk ka asnjë ndryshim në situatë dhe ne ende jemi në pritje të përgjigjes së Hamasit”, tha zyrtari egjiptian për kanalin izraelit ‘Channel 13’, i cili nuk dha asnjë detaj rreth marrëveshjes së propozuar.
Raportet e mediave dolën sot më herët për dështimin e bisedimeve për armëpushimin në Egjipt midis Hamasit dhe Izraelit.
Një raund i ri bisedimesh për një armëpushim në Gaza filloi të dielën në kryeqytetin egjiptian Kajro me pjesëmarrjen e delegatëve nga Egjipti, Katari, SHBA-ja dhe Hamasi.
Sipas mediave izraelite, ndërmjetësit kërkojnë të tejkalohen mosmarrëveshjet mes Izraelit dhe Hamasit për detajet e tërheqjes izraelite nga Gaza, si dhe për lirimin e të burgosurve nga të dyja palët.
Besohet se Hamasi mban mbi 130 pengje izraelite pas sulmit të 7 tetorit.
Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë mbi 30.600 palestinezë dhe duke plagosur rreth 72 mijë të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.